Kosova

Comín akuzon Spanjën për standarde të dyfishta: Pse Palestina po e Kosova jo?


Toni Comín

Toni Comín, deputet në Parlamentin Evropian (PE) nga radhët e lëvizjes katalanase për pavarësi Bashkë për Katalonjën (Junts), aktualisht në qeverisje, akuzoi shtetin e Spanjës për standarde të dyfishta dhe hipokrizi, pas vendimit të kryeministrit spanjoll, Pedro Sanchez, i cili njoftoi javën e kaluar se do ta njohë një shtet palestinez përkrah shtetit izraelit më 28 maj.

Comín kërkoi nga Qeveria e Spanjës që të ndalojë së ndjekuri “standarde të dyfishta” në politikën e jashtme, duke kujtuar se Spanja është në mesin e pesë shteteve anëtare të Bashkimit Evropian (BE) që nuk e njeh pavarësinë dhe sovranitetin e shtetit të Kosovës. Prandaj, eurodeputeti katalonjas kërkoi që Spanja ta njohë Kosovën, në të njëjtën mënyrë sikurse shtetin palestinez.

“Shteti i Spanjës vazhdon të praktikojë në mënyrë hipokrite një standard të dyfishtë rreth të drejtës së vetëvendosjes. Nëse e njeh Palestinën, duhet ta bëjë këtë edhe me Kosovën, Saharanë ose, akoma më mirë, të fillojë me rastet më të afërta si Katalonja dhe Baskia”, potencoi Comín.

Ndryshe, ditë më parë, Carles Puigdemont, ish-lideri që udhëhoqi referendumin në Katalonjë, akuzoi gjithashtu qeverinë e Sanchezit për standarde të dyfishta, pas vendimit për njohjen e Palestinës, një hap drejt një aspirate të gjatë palestineze që erdhi mes zemërimit ndërkombëtar për numrin e viktimave civile dhe krizën humanitare në Rripin e Gazës.

E përderisa Spanja i është bashkuar pjesës tjetër të komunitetit ndërkombëtar në njohjen e Palestinës, ajo ende ecën kundër rrjedhës kur bëhet fjalë për Kosovën – dhe qëndron e izoluar brenda NATO-s dhe BE-së, anëtarët e së cilave mbështesin në masë të madhe pavarësinë e Kosovës.

Pse Spanja (s’)mund ta njohë Kosovën sikurse Palestinën?

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore