Lajme

Çitaku, Kurtit: Në SHBA e përfaqëson Kosovën, jo LVV-në – thumbimi i partive opozitare jo i drejtë


Vlora Çitaku dhe Albin Kurti

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka kritikuar fjalimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, gjatë ceremonisë së nënshkrimit të marrëveshjes në mes të Kosovës dhe MCC-së në fushën e energjetikës, ku ky i fundit ka thumbuar partitë opozitare.

Sipas saj, thumbimi i partive opozitare në një ceremoni ku Kurti përfaqëson shtetin e Kosovës ka vënë në siklet nikoqirët e ceremonisë.

“Kryeministër, në SHBA e përfaqëson Kosovën, jo VV-në. Kur nënshkruan marrëveshje nënshkruan në emër të Kosovës, jo në emër të partisë”, ka shkruar ajo në rrjetin e saj social në Facebook.

Për Ish-ambasadoren e Kosovës në SHBA, qeveria Kurti nuk ka asnjë meritë në nënshkrimin e marrëveshjes me MCC-në.

“Në fakt qeveria vetëm e ka devijuar procesin nga gazsjellësi në bateri”, ka shtuar ajo.

Ndryshe në fjalimin e tij Kurti, ka zgjedhur të thumboj partitë opozitare, pasi sipas tij ai nesër do të ndihet i mërzitur kur opozita do ta votojë ratifikimin e marrëveshjes mes Kosovës dhe MCC-së.

“Unë duhet ta pranoj që jam pak i mërzitur që ministrja Rizvanolli dhe unë do të mungojmë në një prej rasteve të radha kur opozita na përkrah neve. Jam shumë i sigurt që edhe ata do të mërziten”, kishte thënë ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore