Shqipëria

Cilët janë të burgosurit “VIP”, që ranë në grackën e megaoperacionit policor?


Një operacion i gjatë policor, i cili ka përfshirë sistemin e burgjeve shqiptare, ka çuar në pranga 28 zyrtarë, biznesmenë e qytetarë të thjeshtë, pasi akuzave të shpërndarjes së lëndëve narkotike e pajisjeve të komunikimit në tre burgje shqiptare.

Sigurisht që ky është një lajm i madh për Policinë e Shtetit, por me interes ka qenë edhe fakti se pjesë e skemës, kanë qenë edhe disa të burgosur shumë me emër për krimet që kanë kryer.

Një ndër më të famshmit, është edhe Arben Grori, i njohur dhe i dënuar për vrasjen e Naim Zyberit në Milano në vitin 1997.

Arben Grori

Grori është dënuar nga gjykata italiane me burgim të përjetshëm për vrasjen e Zyberit, në një skenar spektakolar në limitet e filmave mafiozë, kur ai i shko Zyberit me lule në spital për vizitë dhe të fshehur në buqetë kishte një pistoletë me silenciator, me të cilën e vrau.

Por mbi Grorin, në Shqipëri, rëndon edhe një dënim prej 15 vitesh për trafik droge. Ai është ndër të dënuarit “VIP” më të famshëm të institucionit të sigurisë së lartë në Peqin.

Aleksandër Llanaj, është një tjetër emër shumë i njohur. Ai ka kryer një vrasje të trefishtë në Vlorë në vitin 2015. Ajo njihet gjerësisht edhe si “masakra e Çoles”.

Aleksandër Llanaj

Një konflikt mes të rinjsh në një festë ditëlindjeje, përfundoi me krimin makabër, ku të vdekur mbetën tre të rinjtë. Ndërsa, familja Llanaj, njihet prej vitit 1998 për historikun e gjatë të konflikteve dhe hakmarrjeve. Një zinxhir i tërë vrasjesh në Selenicë.

Një tjetër emër është ai i Aleksandër Sinanajt, i cili në vitin 2011, ka kryer në bashkëpunim me të tjerë një vjedhje në Bankën Kombëtare Tregtare të Vlorës.

Emri tjetër i lakuar është një personazh më i ri në botën e krimit, por jo më pak i rëndësishëm.

Ai është Klajdi Gjeci, i cili është i dënuar në vitin 2020 për shitje narkotikësh. Por, famën, nuk e ka për këtë gjë.

Klajdi Gjeci

Gjeci njihet edhe si mik i Emiljano Shullazit, pjesëmarrës në disa ngjarje të bujshme. Ndër to, më e zëshmja është ajo e vitit 2016, kur ai i vendosi tritol automjetit të një biznesmeni, pas gjobvënieve të shumta.

Në vitin 2015, mendohet se Gjeci është marrë peng nga tre persona për disa ditë. Ndërsa, ai u zbulua më pas nga Policia dhe u la i lirë.

Aksioni policor sakaq, nuk do të përfundojë vetëm me këto emra sipas strukturave të rendit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore