Lajme

Chollet të mërkurën vjen në Kosovë


Këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, do ta vizitojë Kosovën, Serbinë dhe Maqedoninë Veriore nga 11 deri më 13 janar.

Kështu ka njoftuar Departamenti Amerikan i Shtetit, e ku thuhet se përmes këtij udhëtimi Chollet synon të nënvizojë përkushtimin e përhershëm të SHBA-së për paqen, stabilitetin dhe prosperitetin në Ballkanin Perëndimor.

Më 11 janar, Chollet fillimisht vizitën e tij do ta nis në Shkup, ku do të bisedojë me përfaqësuesit e qeverisë për një sërë çështjesh, përfshirë energjinë, ekonominë dhe luftën kundër korrupsionit.

Më pas, Cholet do të udhëtojë për në Prishtinë, ku do të diskutojë me përfaqësuesit e institucioneve dhe të shoqërisë civile për përpjekjet e SHBA-së për të ndihmuar në avancimin e integrimeve euroatlantike, se si “përmes dialogut me mbështetjen e BE-së të arrihet një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me fokus njohjen reciproke”.

Ndërkaq më 12 janar, ai do të jetë në Beograd, ku me lidershipin serb do të diskutojë sigurinë energjetike, integrimin ekonomik rajonal dhe përparimin drejt synimit të Serbisë për t’iu bashkuar BE-së.

“Ai do të diskutojë gjithashtu rolin e Serbisë në forcimin e paqes dhe sigurisë rajonale dhe angazhimin e saj të vazhdueshëm në dialogun e udhëhequr nga BE-ja me qëllim të normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën”, thuhet në një deklaratë të Departamentit të Shtetit.

Pos Cholet, në kryeqytetin kosovar gjatë muajit janar pritet të zbarkojë edhe ndërmjetësi i BE-së, Miroslav Lajçak.

Kurti, në një intervistë për agjencinë e lajmeve, Kosova Press, kumtoi lajmin se nisma të reja për takime në kuadër të dialogut do të ketë në fillim të vitit.

Gjithashtu, edhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, njoftoi pak ditë më parë që “burra të mëdhenj”, do të zbarkojnë në Beograd gjatë gjysmës së parë të janarit.

Mediat serbe raportuar se pas 7 janarit Beogradin zyrtar do të vizitojnë përfaqësues të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Top diplomatët perëndimor, Miroslav Lajçak dhe Gabriel Escobar, të cilët do të jenë të shoqëruar edhe me emisarët nga Franca e Gjermania, Emmanuel Bonne dhe Jens Plotner, do të tentojnë ta bindin lidershipin serb për të filluar dialogun në bazë të propozimit franko-gjerman për normalizim të plotë të marrëdhënieve.

Lajçak, dhe Escobar, ua kishin bërë të qartë kryeministrit të Kosovës dhe Presidentit të Serbisë, se “Tema e Kosovës dhe Serbisë duhet të mbyllet para një vjetorit të fillimit të luftës në Ukrainë”.

Siç i ishin prezantuar pikat Albanian Post-it, arsyeja e urgjencës ishte se “në një vjetorin e luftës në Ukrainë, shtetet aleate planifikojnë që të demonstrojnë unitet, gatishmëri e fuqi në përkrahje të Ukrainës”.

Sipas asaj që kishte parë AP, “ky demonstrim do të shënojë kalimin në një nivel tjetër të përkrahjes për Ukrainën”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore