Kosova

Çfarë nënkuptoi Olaf Scholz, kur tha se do ringjallje të Procesit të Berlinit?


Albin Kurti dhe Olaf Scholz në konferencën e përbashkët për media në Berlin

Mesazhi që ka dashur të përcjellë këtë të mërkurë kancelari gjerman, Olaf Scholz, në konferencë të përbashkët për media me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, sipas studiuesve të marrëdhënieve ndërkombëtare është e ndërlidhur me angazhimin që po dëshiron të konsolidojë shteti gjerman në Ballkanin Perëndimor.

Sipas tyre deklarata e Shcolz, se duhet të ringjallet Procesi i Berlinit, nënkupton bashkëpunimin dhe integrimin e të gjitha shteteve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, e kjo rrjedhimisht do të jetë një shtysë e madhe për të gjitha vendet e rajonit duke unifikuar edhe tregun e përbashkët rajonal.

Për ligjëruesin e Shkencave Politike, Dritëro Arifi, nëse Kurti dhe Vuçiç do të bisedojnë e të pajtohen me atë se Procesi i Berlinit, është më i favorshëm për të dyja vendet respektive, atëherë dialogu mund të marr një kthesë më dinamike.

“Palët duhet të jenë më pragmatike, duke e parë situatën në Ukrainë liderët duhet të bisedojnë për një zgjidhje pragmatike për asociacionin apo njohjen reciproke, në këtë aspekt po vërehet se po ndryshon edhe qëndrimi i BE-së, pra në njëfarë mënyrë po kërkohet njohja, sepse nëse nuk ka njohje atëherë do të pengohet edhe Procesi i Berlinit”, ka thënë Arifi për Albanian Post.

Dritëro Arifi

Në anën tjetër sipas ligjëruesit universitar në Winchester, Seb Bytyçi, deklarata e Scholz se duhet ringjallet Procesi i Berlinit, dhe rrjedhimisht dëshira për të bërë presion për një marrëveshje përfundimtare në mes të Kosovës dhe Serbisë, janë pjesë e konsolidimit të politikës gjermane në raport me Ballkanin Perëndimor.

“Bëhet fjalë për një angazhim më të madhe të Gjermanisë dhe kancelarit Scholz në Ballkan, këto takime duhet t’i lexojmë si një dinamizëm të shtuar të Gjermanisë edhe për të zgjidhur ngërçin e dialogut. E ndërsa me ringjalljen e Procesit të Berlinit shtohen kritikat ndaj Ballkanit të Hapur që po shihet se është një rrugë qorre”, ka thënë Bytyçi për Albanian Post.

Ndërsa përfaqësimi i Kurtit në takim me Scholz e më pastaj deklarimet e tij në konferencë për media se Kosova mbështet Procesin e Berlinit, sipas Arifit, kanë qenë në suazat e një paraqitjeje standarde të një kryeministri, me një artikulim shumë të qartë, se çka në të vërtet dëshiron Kosova.

“Në fund të ditës ky është synimi i Kosovës, pra Procesi i Berlinit, që të jemi të barabartë mes vendeve të Ballkanit Perëndimor, por edhe që të jemi të orientuar në drejtim të politikave euro-integruese të cilat bazohen në tregun dhe rregullat e konkurrencës, kjo do të ishte një fitore e madhe jo vetëm për Kosovën, por edhe për gjithë Ballkanin Perëndimor”, ka shtuar Arifi.

Seb Bytyçi

Kancelari gjerman, në një konferencë të përbashkët për media, pas takimit me kryeqeveritarin kosovar, theksoi se çështjet e hapura mes Kosovës dhe Serbisë duhet të zgjidhen hap pas hapi me idenë që të kulmojë në paqen dhe stabilitetin rajonal.

“E inkurajova kryeministrin Kurti që të ketë qasje konstruktive në dialogun e Brukselit”, shtoi Scholz.

Mes tjerash ai theksoi rëndësinë e bashkëpunimit dhe krijimit të një tregu të përbashkët rajonal brenda Procesit të Berlinit.

“Procesi i Berlinit ka dhënë kontribut shumë të madh rreth bashkëjetesës në Ballkan, ai duhet të ringjallet”, saktësoi kancelari.

Në anën tjetër, i pari i ekzekutivit kosovar, bëri të ditur se Kosova është pala konstruktive në raport me dialogun dhe se sipas tij njohja reciproke duhet të jetë në qendër të një marrëveshjeje përfundimtare me Serbinë, e jo në fund.

“Jemi të përkushtuar që të ecim shpejtë, të kemi rezultate konkrete dhe të bashkëpunojmë shumë. Kosova në raport me dialogun jep propozime në linjë me vlerat e përbashkëta me Bashkimin Evropian”, ka thënë Kurti.

Olaf Scholz dhe Albin Kurti në Berlin

Kurti më tej gjatë fjalimit të tij konfirmoi se Kosova është mbështetëse e Procesit të Berlinit dhe tregut të përbashkët rajonal, e assesi iniciativave të cilat janë paralele.

“Procesi i Berlinit i ka katër liritë prandaj edhe nuk mbështesim iniciativat e tjera paralele. Për Kosovën është e rëndësishme që qytetarët të jenë përfituesit më të mëdhenj”, ka shtuar ai.

Ky ishte takimi i parë i kryeministrit Kurti me kancelarin gjerman Scholz, prej që ky i fundit zëvendësoi, muaj më parë, Angela Merkel-in.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore