Lajme

Çështja ndër-palestineze në qendër të vizitës së Hamasit në Arabinë Saudite


Kjo është lëvizja e fundit në baletin diplomatik që po zhvillohet prej dhjetë ditësh në Arabinë Saudite.

Një delegacion i zyrtarëve të Hamas-it, duke përfshirë kreun e byrosë politike Ismail Haniyé dhe kreun e marrëdhënieve me jashtë Khaled Meshaal, me zëvendësin e tij Moussa Abu Razouk, pritet në Arabinë Saudite këtë javë, sipas disa mediave rajonale.

Data e udhëtimit nuk është konfirmuar. Kjo do të ishte vizita e parë e Hamasit në mbretëri që nga viti 2015.

Nëse arsyeja e deklaruar e udhëtimit është pelegrinazhi në qytetin e shenjtë të Mekës, lëvizja islamike ka planifikuar gjithashtu të takohet me zyrtarë sauditë, ndërkohë që Hamas-i dhe Arabia Saudite kanë pasur marrëdhënie të tensionuara për më shumë se një dekadë.

Lëvizja e Hamas-it e klasifikuar si terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian u kritikua për lidhjet e saj të drejtpërdrejta me Iranin, i cili financon dhe mbështet aktivitetet e saj ushtarake dhe politike, si dhe për afërsinë e saj me Vëllazërinë Myslimane, një organizatë e perceptuar si një kërcënim nga Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, veçanërisht që nga Pranverat Arabe të vitit 2011.

Në vitin 2019, mbretëria vehabiste kishte rreth gjashtëdhjetë palestinezë dhe jordanezë të arrestuar në lidhje me organizatën islamike.

Disa nga këta të burgosur u liruan në tetor 2022 dhe shkurt 2023.

Afrimi midis Riadit dhe Hamas-it dyshohet se u inkurajua nga Siria dhe Irani, sipas amerikanes “Wall Street Journal”, e cila citon burime zyrtare saudite.

“Pasi u bojkotua nga Arabia Saudite për vite me radhë, Hamas-i dëshiron të tregojë se kujdeset për marrëdhëniet e tij rajonale”, sipas Ghaith al-Omari, një studiues në Institutin e Washington-it për Politikat e Lindjes së Afërt në një prononcim për libanezen “L’Orient le Jour”.

“Ai gjithashtu shpreson të rindërtojë lidhjet e tij me vende të tjera arabe si Jordania dhe Kuvajti”, vazhdon Ghait al-Omari.

Mbështetje financiare saudite

Paralelisht me vizitën e planifikuar të Hamas-it, edhe presidenti i Autoritetit Palestinez, Mahmud Abbas, vizitoi dje qytetin saudit të Xheddah.

Për Abbas është çështje afirmimi për lidershipin palestinez dhe të mos i lejojë kalimin e simbolikës së këtij udhëtimi Hamas-it.

“Një nga interesat e tij kryesore është gjithashtu të rifitojë mbështetjen financiare të Arabisë Saudite për Autoritetin Palestinez”, vazhdoi Ghaith al-Omari për “L’Orient le Jour”.

Këto vizita të kryqëzuara të kujtojnë përpjekjet saudite për të pajtuar dy palët palestineze.

Në vitin 2007, mbretëria qëndronte pas Marrëveshjes së Mekës që synonte të pajtonte Fatah-un dhe Hamas-in në Rripin e Gazës, por dështoi pasi Hamas nisi sulmet ndaj forcave të armatosura kundër selisë së Autoritetit Palestinez dhe zyrave të Fatah-ut në Gaza, duke bërë që Hamas-i të merrte brezin e tokës, tashmë nën bllokadë.

Fatah është një organizatë politike dhe paraushtarake palestineze, pjesë e Organizatës për Çlirimin e Palestinës e kryesuar në fillimet e saj nga Yasser Arafat.

Ghaith al-Omari ka pak besim në pajtimin midis dy palëve, pasi “Autoriteti Palestinez nuk ka asnjë interes të sjellë Hamas-in në Bregun Perëndimor (dhe anasjelltas). Këto janë dy organizata që kanë një dinamikë të lojës me shumë zero. Të gjithë duan të jenë udhëheqës. Secili ka frikë t’i japë tjetrit një pjesë të territorit të tij. Dallimet mes tyre janë shumë të thella”.

Por mbretëria saudite po kërkon të krijojë një dinamikë qetësuese të tensioneve rajonale në mënyrë që të tërheqë investime të huaja për programin e saj të diversifikimit ekonomik, planin “Vizioni 2030”.

Pra, sauditët po përpiqen ndoshta me të vërtetë të bashkojnë politikisht palestinezët.

Hamasi në Liban

Këto përpjekje stabilizuese janë një vazhdimësi e marrëveshjes historike të normalizimit të nënshkruar me Iranin më 10 mars.

Për dhjetë ditë, takimet dhe shkëmbimet mes Riadit dhe disa aktorëve të mbështetur nga Teherani, si Houthis në Jemen, kanë ndjekur njëri-tjetrin.

Mbi të gjitha, Ministri i Jashtëm sirian Fayçal Mekdad u prit në Arabinë Saudite më 13 prill, dy ditë para një takimi midis krerëve të diplomacisë arabe në Xheddah për të diskutuar ri-integrimin e Sirisë në Ligën Arabe.

Udhëheqësi i byrosë politike të Hamasit, Ismail Haniyé, gjithashtu takoi disa ditë më parë në Liban Hassan Nasrallah, sekretarin e përgjithshëm të Hezbollah-ut, ndërsa “Wall Street Journal” zbuloi mbajtjen e takimeve koordinuese në javët e fundit të këtyre organizatave dhe udhëheqësin e Forcave al-Quds të Gardën Revolucionare Iraniane, Esmail Qaani, në një përpjekje për të kryer sulme kundër Izraelit.

Një pajtim brenda-palestinez mund të jetë i dobishëm në perspektivën e normalizimit midis Arabisë Saudite dhe Izraelit.

Kryeministri aktual izraelit, Benjamin Netanyahu, nga ana e tij, e ka bërë normalizimin me Arabinë Saudite prioritet të mandatit të tij.

Por rrëshqitjet e pakontrolluara të qeverisë së tij të re, më e djathta në historinë e Izraelit, dhe përshkallëzimi i kolonëve dhe dhunës ushtarake izraelite në Bregun Perëndimor duket se e kanë shmangur këtë perspektivë për momentin.

Sipas “New York Times”, Riadi ka kushtëzuar normalizimin me shtetin hebre me ndihmën amerikane në programin e tij civil të zhvillimit bërthamor dhe heqjen e kufizimeve për shitjet e armëve amerikane.

Marrë dhe përshtatur nga “L’Orient-Le Jour” për Albanian Post

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore