Kosova

Çeku mohon pretendimet e Komunës së Skenderajt: Bëmë ftesë, dërguam kërkesa, por s’morëm përgjigje


Hajrullah Çeku

Ministri i Kulturës, Hajrullah Çeku, të enjten gjatë një fjalimi në Kuvendin e Kosovës, në mënyrë kategorike ka mohuar pretendimet e Komunës së Skenderajt se Qeveria e Kosovës ka përjashtuar këtë komunë nga organizimi i Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) që manifestohet çdo vit për nder të martirëve të lirisë dhe heroizmit të komandantit legjendar të UÇK-së, Adem Jashari, familja e të cilit u sulmua më 5, 6 dhe 7 mars 1998 nga forcat serbe.

Sipas Çekut, dikasteri të cilën ai e drejton i ka dërguar kërkesa e mesazhe të panumërta Komunës së Skenderajt për këtë rast, por të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje asnjëherë.

“Si ministri e kemi kontaktuar Komunën e Skenderajt dhe kemi ofruar gjithë gatishmërinë tonë për të bashkëpunuar rreth aktiviteteve për shënimin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kemi dërguar kërkesa, email-e, thirrje e mesazhe të panumërta për një kohë të gjatë drejtuar zyrtarëve të Komunës së Skenderajt, por për fat të keq, kërkesat dhe thirrjet tona kanë mbetur pa përgjigje”, ka potencuar fillimisht ai.

Prandaj në vlerësimin e tij Qeveria e Kosovës në asnjë mënyrë nuk e ka përjashtuar Komunën e Skenderajt nga organizimi i Epopesë së UÇK-së.

“Nuk ka asnjë vullneti për ta larguar dikë, përkundrazi ne kemi pasur nevojë për ndihmën e komunës për t’i realizuar sa më mirë këto aktivitete, por ato do të bëhen edhe pa përfshirjen e komunës së Skenderajt. Është për të ardhur keq që në një moment kaq të rëndësishëm për kombin tonë, sikurse Epopeja e UÇK-së, të keqpërdoret për qëllime të sulmeve politike”, ka potencuar ai.

Komuna e Skenderajt njoftoi nëpërmjet një postimi në “Facebook” të enjten se Qeveria e Kosovës e përjashtoi këtë komunë nga organizimi i Epopesë së UÇK-së.

“Komuna e Skenderajt gjithmonë ka qenë pjesë e organizimit të epopesë dhe me punë, angazhim e përgjegjësi të lartë ka kryer detyrat e saj për mbarëvajtjen sa më të mirë gjatë gjithë viteve të kaluara, duke treguar bashkëpunim të shkëlqyer me të gjitha qeveritë qendrore nën patronatin e të cilave organizohet ky shënim”, u tha në njoftimin e komunës së Skenderajt.

Qeveria e Kosovës – për herë të parë – përjashton komunën e Skenderajt nga organizimi i Epopesë së UÇK-së

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore