Lajme

Qeveria e Kosovës – për herë të parë – përjashton komunën e Skenderajt nga organizimi i Epopesë së UÇK-së


Ilustrim

Komuna e Skenderajt njoftoi nëpërmjet një postimi në “Facebook” të enjten se Qeveria e Kosovës e përjashtoi këtë komunë nga organizimi i Epopesë së Ushtrisë Çlirimitare të Kosovës (UÇK) që manifestohet çdo vit për nder të martirëve të lirisë dhe heroizmit të komandantit legjendar të UÇK-së, Adem Jashari, familja e të cilit u sulmua më 5, 6 dhe 7 mars 1998 nga forcat serbe.

“Komuna e Skenderajt gjithmonë ka qenë pjesë e organizimit të epopesë dhe me punë, angazhim e përgjegjësi të lartë ka kryer detyrat e saj për mbarëvajtjen sa më të mirë gjatë gjithë viteve të kaluara, duke treguar bashkëpunim të shkëlqyer me të gjitha qeveritë qendrore nën patronatin e të cilave organizohet ky shënim”, u tha në njoftimin e komunës së Skenderajt.

Në Prekaz të komunës së Skenderajt, më 5, 6 dhe 7 mars 1998, forcat serbe sulmuan shtëpitë e familjes Jashari, duke lënë të vrarë mbi 50 anëtarë të kësaj familjeje. Ndërkaq, më 24 mars të vitit 1999, me urdhër të ish-sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Havier Solana, filluan sulmet ajrore të forcave të NATO-s kundër caqeve serbe në Kosovë, Serbi dhe Mal të Zi.

Komuna e Skenderajt njoftoi ndër të tjera se përkundër përjashtimit nga organizimi i Epopesë së UÇK-së do të vazhdojë me aktivitete të shumta që do të bëhen të ditura të premten (1 mars). Epopeja e UÇK-së përcjellë emocione krenarie në mesin e shqiptarëve. Për nder të sakrificës së familjes Jashari, në pjesë të ndryshme të Kosovës, ndizen edhe flakadanët e lirisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore