Përballje

Bundesliga/ Frankfurt deklason Leverkusen-in, barazojnë Wolfsburg dhe Gladbach


Kampionët në fuqi të Ligës së Evropës, Eintracht Frankfurt, kanë shënuar një fitore të thellë në ndeshjen e javës së 10-të në Bundesliga-n gjermane, duke e mposhtur Bayer Leverkusen-n me rezultat 5:1.

Goli i parë i kësaj sfide erdhi vetëm në minutat shtesë të pjesës së parë, kur Daichi Kamada fillimisht gaboi nga penalltia, por gjyqtari vendosi që të përsëritej, e më pas për të dytën herë japonezi u tregua i saktë.

10 minuta pasi filloi pjesa e dytë, mysafirët reaguan duke barazuar rezultatin me anë të Piero Hincapie.

Megjithatë, vendasit ishin të papërmbajtshëm në vazhdim të ndeshjes, duke shënuar edhe katër gola të tjerë.

Randal Kolo Muani shënoi golin e epërsisë, e më pas Kamada, Lindstrom dhe Alario vulosën rezultatin përfundimtar në 5:1.

Ndërkohë, ndeshja Wolfsburg – Borussia Monchengladbach u mbyll me barazimin 2-2.

Golat për vendasit i realizuan Gerhardt në minutën e 43-të dhe Marmoush në minutën e 69-të. Teksa për miqtë rrugën drejt rrjetës e gjeti Thurman në minutën e 13-të dhe në minutën e 48-të.

Në ndeshjet tjera, Stuttgart-i mposhti Bochum-in me rezultat të thellë 4:1, ndërsa Werder Bremen u mposht në shtëpi nga Mainz me shifrat 0:2.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore