Lajme

Bullgaria vendos të mbajë veton ndaj Maqedonisë së Veriut në BE


“Qeveria e Bullgarisë nuk do të heqë veton e saj ndaj Maqedonisë së Veriut”.

Në një njoftim të publikuar nga Ministria Bullgare e Punëve të Jashtme, nënvizohet se do të mbështet po e njëjta deklaratë e mëparshme e parlamentit Bullgar.

Sipas zyrtarëve bullgarë, Maqedonia e Veriut nuk ka përmbushur kushtet për të mbajtur Konferencën e parë Ndërqeveritare.

Pra, qëndrimi i Bullgarisë zyrtare ndaj negociatave të Maqedonisë së Veriut mbetet po i njëjtë.

Njoftimi citon faktin që qeveria “ka miratuar vendimin që do të paraqitet në takimin e Këshillit në 22 qershor, ku do të zhvillohet një debat mbi politikat e zgjerimit të BE-së si dhe Procesin e Stabilizim-Asociimit , përpara se të bëheshin ndryshimet e fundit për takimin e jashtëzakonshëm të Këshillit Evropian në 24-25 qershor”.

Sakaq, zyrtarët bullgarë shtojnë se mbeten të hapur për dialog. Ata po ndërmarrin hapa për të vendosur besimin dhe për të rivendosur një dialog pragmatik dhe konstruktiv me Maqedoninë e Veriut.

Zhvillimi i fundit lë të kuptohet se takimi midis dy krerëve të shteteve në Romë nuk qe i frytshëm për të kapërcyer barrierat.

Kujtojmë se oferta e Shqipërisë për hapjen e negociatave me Bashkimin Evropian nuk do të ndahet nga ajo e Maqedonisë së Veriut.

Deri më tani, zyrtarë të ndryshëm të lartë të BE-së kanë hedhur poshtë mundësinë e një shkëputjeje të mundshme me Shqipërinë.

Deklarata e Zoran Zaev

Më herët, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, deklaroi se shpresat që Bullgaria të heqë veton janë të pakta.

Sipas tij, MV-ja nuk ka as Plan B, as edhe një alternativë tjetër për në Bashkimin Evropian (BE)”.

Ai shtoi se anëtarësimi i MV-së në BE, duhet të vijë për shkak të evropianizimit të vendit dhe përmes hapjes e mbylljes së kapitujve.

Kryeministri maqedonas, theksoi se dëshiron që të mos ketë veto nga Sofja më 22 qershor, por edhe nëse nuk arrihet zgjidhje, të paktën të diskutohet.

Konflikti mes vendeve

Këto dy shtete kanë pasur konflikte të hershme historike. Tensionet mes vendeve u rritën vitin e kaluar. Kjo erdhi pas vendosjes së vetos nga pala bullgare për hapjen e negociatave mes Bashkimit Evropian dhe MV-së.

Kjo për shkak të dështimit të qeverisë së Shkupit për të adresuar shqetësime të caktuara të identitetit.

Bullgaria kërkoi që termi “gjuhë maqedonase” të mos përdoret në asnjë dokument negociues të BE-së, pasi ajo e konsideron gjuhën si një dialekt bullgar.

Së dyti, Bullgaria i ka kërkuar MV-së të “pranojë” origjinën bullgare të kombit maqedonas, pasi nuk “ekziston” një komb i veçantë maqedonas.

Sipas shtetit bullgar, ky i fundit është vetëm një krijim “artificial” i komunistëve jugosllavë si pasojë e Luftës së Dytë Botërore.

Sofja zyrtare këmbëngul që Shkupi të heqë dorë nga pretendimi i tij për njohjen zyrtare të pakicës maqedonase në Bullgari.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore