Financa

Brenda verës prezantohen masa lehtësuese për tatimin e pagave


Masa lehtësuese për tatimin mbi pagën, sa i takon të punësuarve në sektorin publik dhe privat.

Kjo është paralajmëruar nga ministri i Financave, Ervin Mete, duke përmendur se një nismë e tillë mund të vihet në jetë brenda qershorit.

Kështu ka folur ai gjatë një takimi me drejtues të lartë të Dhomës Amerikane të Biznesit, teksa ka përmendur edhe vlerësimin e fundit të marrë nga Standard & Poor’s, duke e kaluar Shqipërinë nga një vlerësim B+ në një vlerësim B–, i cili reflekton një pozitë më të fortë të vendit në stabilitetin ekonomik.

“Ekonomia e vendit po kalon një moment të mirë dhe këtë e konfirmoi edhe Standard & Poor’s. Treguesit makroekonomikë janë përmirësuar ndjeshëm, pozicioni i jashtëm i Shqipërisë është përmirësuar falë performancës shumë të mirë të sektorit të turizmit, i cili gjatë vitit të kaluar solli afro 4.2 miliardë euro të hyra në ekonomi, me një rritje prej 47% krahasuar me vitin 2022”, shpjegoi Mete.

Më tej, ai tha se nuk duhet harruar se investimet e huaja arritën në nivelin më të lartë historik në vitin 2023, prej afro 1.5 miliardë euro”, theksoi ndër të tjera ministri Mete.

Ministri i Financave tha po ashtu se edhe detyrimet e prapambetura zbritën në nivelin më të ulët dhe se në fund të vitit 2023 nuk rezulton asnjë detyrim i prapambetur sa i përket rimbursimit të TVSH-së për bizneset.

“Jemi aktualisht në hapat e fundit të konstituimit të Këshillit Tatimor dhe gjej rastin të ftoj edhe njëherë edhe anëtarët e Dhomës Amerikane të Biznesit të aplikojnë për t’u bërë pjesë aktive e këtij Këshilli”, përmendi ai.

Mete komunikoi gjithashtu edhe vijimin e kontaktit me Fondin Monetar Ndërkombëtar, për të finalizuar një strategji të rishikuar për mbledhjen e të ardhurave, me synim të një strategjie sa më koherente, që merr në konsideratë zhvillimet dhe treguesit e fundit makrofiskalë, me fokus rritjen e mirëadministrimit fiskal dhe gjithashtu në frymën e ruajtjes së një qëndrueshmërie të legjislacionit fiskal.

Në mbyllje të fjalës ndërkohë, ai nënvizoi faktin se çasti i mirë ekonomisë së vendit, ka shfaqur edhe përmirësim sa i takon makrokredive, vlerësimeve të marra nga institucionet financiare, të cilat nxisin më tej përpjekjet dhe vendosmërinë për të thelluar ritmin e reformave.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore