Sport

“Bravo gamers”, Kurti uron ekipin kosovar për kualifikimin në turneun PGL Major të Antwerp-it


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka uruar ekipin kosovar, Bad News Eagles për kualifikimin në turneun Major të Antwerp-it në CSGO.

Kurti e kategorizoi fitoren e BNE si historike, pasi ata u kualifikuan në një nga turnet më të mëdha të CSGO në botë.

“Bravo gamers! Kosova bën historinë me kualifikimin në PGL Antwerp Major 2022. Bad News Eagles sot mposhtën Sinners me rezultat 2:1. Kjo fitore i bën pjesë të garës më të madhe të vitit për CSGO”, shkroi Kurti.

Kreu i Qeverisë, më pas iu referua edhe motos së BNE, që thotë: “Nga internet kafetë, në PGL Major Antwerp 2022”.

“Pra, prej internet kafesë, ku filluan ushtrimet e para, BNE nga sot na përfaqësojnë në garën më të madhe në botë”.

“I gëzohem çdo të arriture të rinisë sonë. Ata po na dëshmojnë çdo ditë se kur kombinohet pasioni dhe puna, suksesi është i garantuar”, ka shtuar Kurti.

Përpos Kurtit, ka folur edhe Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, i cili e ka cilësuar arritje historike, triumfin e BNE.

“Historike për komunitetin E-Sports, ekipi ynë Bad News Eagles kualifikohet në turneun më të madh në botë të CS:GO, PGL Major Antwerp 2022”, ka shkruar Çeku.

“Përgëzime Flatron, Sener, Dionis, Rigon, Genc, krenari pa fund”, ka shtuar ministri.

Bad News Eagles mposhtën ekipin nga Republika Çeke, “Sinner”, për t’u kualifikuar në turneun PGL Major të Antwerp-it.

Ndeshja vendimtare ishte dramatike, por djemtë kosovar, arritën të triumfojnë në fund.

Kujtojmë se turneu “PGL Major 2022” do të fillojë më nëntë maj në Antwerp të Belgjikës.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore