Lajme

Bosnjë dhe Hercegovina zyrtarisht vend kandidat për anëtarësim në BE


Ilustrim

Në samitin e së enjtes, krerët e qeverive të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian konfirmuan rekomandimin e Komisionit Evropian duke ia dhënë Bosnjë dhe Hercegovinës statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Bosnjë dhe Hercegovina iu bashkua vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor që janë pak a shumë në të njëjtën pozitë kur bëhet fjalë për negociatat për aderim në BE.

Edhe pse ky vendim do të çojë në mënyrë të pashmangshme në një përmirësim të imazhit në Bruksel, Bosnjë dhe Hercegovina ka ende një rrugë të gjatë për të bërë për të përmbushur kushtet dhe reformat që janë parakusht për përparim të mëtejshëm në rrugën drejt BE-së.

Reforma lidhet kryesisht me 14 prioritetet që Komisioni Evropian prezantoi në vitin 2019, në vlerësimin e tij mbi gatishmërinë e Bosnjë dhe Hercegovinës për t’u bërë vend kandidat dhe që kushtet që duhet të përmbushë në funksion të hapjes së negociatave të anëtarësimit në BE.

Shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, para fillimit të seancës u shpreh optimist se liderët e BE-së do të bien dakord për dhënien e statusit të kandidatit për BeH-në.

“Unë e mbështes fuqimisht atë vendim. Do të ishte një hap shumë i rëndësishëm për vendin, në rrugën e tij drejt përmbushjes së reformave, por edhe një hap i rëndësishëm për të gjithë rajonin”, theksoi ai.

Seanca e sotme e krerëve të qeverive u karakterizua nga tema të shumta, ku përfshihej lufta në Ukrainë, ndihma shtesë për këtë vend, kriza energjetike, por edhe siguria dhe mbrojtja, e cila ka marrë shumë vëmendje brenda BE-së në muajt e fundit.

Ndryshe, Bosnjë dhe Hercegovina ka qenë një kandidate e mundshme për anëtarësim në BE që nga viti 2003 dhe ka aplikuar zyrtarisht për të në shkurt 2016.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore