Lajme

Borrell tejet i alarmuar me arrestimet e serbëve në Veri dhe marshimit të FSK-së në Jug


Josep Borrell

Përfaqësuesi i Lartë për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, është shprehur tejet i alarmuar nga situata e sigurisë në Veri të Kosovës, sidomos pas arrestimit të një serbi nga Policia e Kosovës dhe marshimit të ushtarakëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Mitrovicë, të premten.

“Shumë i alarmuar nga situata në Veri të Kosovës: arrestime jashtëgjyqësore të serbëve të Kosovës dhe Forcave të Sigurisë së Kosovës që marshojnë në Mitrovicën e Jugut; e ndjekur nga retorika e rëndë nga Serbia. Pavarësisht takimit të djeshëm të krizës, përshkallëzimi vazhdon dhe po bëhet i rrezikshëm. Nuk do ta tolerojmë”, ka shkruar Borrell në rrjetin e tij social në Twitter.

Çfarë ndodhi?

Një ditë pas takimeve të ndara në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit me shefin e diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell dhe në mes të presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç me Borrell, të cilat rezultuan pa marrëveshje, por me shprehje që u kuptuan si sinjale pozitive, Policia e Kosovës njoftoi se ka arrestuar të dyshuarin me iniciale N.O., apo njohur ndryshe me nofkat si “Nemac” dhe “Rusi”, pasi ka siguruar prova që i njëjti ka sulmuar ushtarët e KFOR-it me 29 maj, në protestën e dhunshme para ndërtesës komunale në Zveçan.

Arrestimi i tij sipas Policisë së Kosovës ndodhi pas sigurimit të dëshmive.

Po në këtë ditë, 215 ushtarë të FSK-së marshuan në Mitrovicë të Jugut, marshim ky i cili në rrjetet sociale u interpretua se gjoja ushtria e Kosovës po shkon në Veri.

Prandaj mu për këtë çështje reagoi edhe Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, i cili sqaroi se marshimi i regjimentit të tretë të FSK-së, i realizuar nga kazerma “Minatori” deri në fshatin Frashër dhe anasjelltas ka qenë kondicional dhe i rregullt dhe se ky aktivitet nuk ka të bëjë asgjë me situatën e sigurisë në Veri të Kosovës.

A e zgjidhi takimi krizën? Krejt çka ndodhi dje në Bruksel

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore