Lajme

Bomgartner: Macron mund të ndërmarrë hapa për të lehtësuar dialogun Shkup-Sofje


Maqedonia e Veriut - Bullgaria

Për lehtësimin e dialogut mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë pritet të angazhohet presidenti francez, Emanuel Macron.

Kështu ka thënë ambasadori francez në Shkup, Cyril Bomgartner, në një intervistë duke shtuar se fillimin e negociatave ndërmjet Bashkimit Evropian (BE) dhe Maqedonisë së Veriut, është diçka që e dëshirojnë të gjithë, por se nuk ka dhënë detaje se për çfarë angazhimi konkret të presidentit francez bëhet fjalë.

Ambasadori i Francës në Shkup, Cyril Bomgartner

“Më e rëndësishmja është të jemi efikas, të kemi aktivitete që do të lejojnë zhbllokimin e procesit dhe të arrijmë rezultatin që të gjithë duan sot, dhe kjo është zgjidhja e situatës sa më shpejt të jetë e mundur për të nisur negociatat për anëtarësim në BE”.

“Kjo do të thotë se ne nuk jemi në një fazë të komunikimit publik, por në një fazë mobilizimi dhe për të rritur shanset për sukses. Ndonjëherë duhet të jemi shumë të matur, sepse gjëja më e rëndësishme është të jemi bindës dhe të kemi një qasje racionale. Përfundimisht [angazhimi i Macron në këtë proces] do të sjellë rezultatin e dëshiruar”, ka thënë ambasadori Bomgartner.

Presidenti francez, Emanuel Macron

Lidhur me gjuhën maqedonase, ai ka thënë se askush nuk do të jetë në gjendje t’i detyrojë të dy vendet të miratojnë diçka që nuk do t’u përshtatet atyre dhe që do të kërkojë largimin nga vijat e kuqe.

“Brenda këtyre parametrave duhet të bëhet progres, të gjendet një zgjidhje dhe pasi të arrihet kjo, ne do të duhet të biem dakord për një Kornizë negociuese, e cila do të mundësojë hapjen e negociatave për anëtarësim, pa vonesë”.

Afati i fundit është muaji qershor i vitit të ardhshëm, mirëpo qëllimi është që negociatat mes BE-së dhe Maqedonisë së Veriut të fillojnë më herët, andaj Franca do të angazhohet për këtë sepse ajo do marr presidencën e BE-së më 1 janar.

Mirëpo, ambasadori francez ka thënë se në Francë do të zhvillohen zgjedhjet parlamentare në muajin prill andaj edhe mundësitë për veprim në Paris gjatë zgjedhjeve do të jenë të kufizuara.

“Unë jam i bindur se hapja e negociatave do të ndodhë, por çështja është se kur, domethënë kur do të arrihet ai rezultat. Mesazhi i dhënë gjatë Këshillit është – sa më shpejt aq më mirë”.

Qeveria e re në Sofje mban qëndrimin e njëjtë ndaj Shkupit

Qeveria e re bullgare do të mbajë qëndrimin e njëjtë sikurse qeveria paraprake sa i përket raporteve me Maqedoninë e Veriut, mirëpo do të shtoj angazhimin në një “frymë konstruktive”.

Në një shtojcë të dokumentit për politikë të jashtme të qeverisë bullgare thuhet se, marrëdhëniet do të përmirësohen “në një frymë konstruktive”, ku edhe përshkruan hapat konkret që duhet të ndërmerren.

Hapi i parë është aktivizimi i punës së komisioneve dypalëshe të parashikuara në Traktatin e Miqësisë, Fqinjësisë së Mirë dhe Bashkëpunimit nëpërmjet një kalendari takimesh mujore.

Një hap tjetër është intensifikimi i bashkëpunimit në fushën e transportit, duke përfshirë lidhjen direkte ajrore Sofje-Shkup, ndërtimin e Korridorit 8, mbështetjen financiare për lidhjen hekurudhore.

Gjithashtu, parashikohet intensifikimi i bashkëpunimit në fushën e shkencës dhe kulturës (kalendar i përbashkët kulturor, konferenca të përbashkëta shkencore).

Mënyra të tjera për t’iu afruar Shkupit janë: vazhdimi i punës së Komisionit të Përbashkët Multidisiplinar të Ekspertëve për Çështje Historike dhe Arsimore; Bullgaria pret që autoritetet e Republikës së Maqedonisë së Veriut të ofrojnë mbrojtje të përhershme kundër diskriminimit dhe të drejta të barabarta të qytetarëve maqedonas me identitet bullgar si pjesë përbërëse e vlerave evropiane.

Shkëmbimi i arkivave të periudhës 1944-1991 me qëllim rehabilitimin e viktimave të represionit është hapi tjetër që duhet të ndërmirret.

Aktivizimi i diplomacisë publike si mjet dhe përkrahja e integrimit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian (BE) përmes bartjes së përvojave bullgare.

Ndër prioritetet në politikën e jashtme të Qeverisë së re të kryeministrit Kiril Petkov, edhe thellimi i marrëdhënieve strategjike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe heqja e regjimit të vizave për qytetarët bullgarë.

Gjithashtu, marrëdhëniet dypalëshe dhe lidhjet politike janë parashikuar në një bazë të re me Mbretërinë e Bashkuar, në koordinim me politikën e BE-së.

Deputetët e Kuvendit të Bullgarisë të hënën e13 dhjetorit votuan Kiril Petkovin për kryeministër të ri të Bullgarisë, pas së cilës miratuan listën e ministrave, duke i dhënë fund krizës politike disamujore në vend.

Në koalicionin katër-partiak, përveç partisë së Petkovit, vazhdojnë Ndryshimet (PP), janë edhe socialistët (Partia Socialiste), ITN (Ka një popull të tillë) dhe Partia e Qendrës së Djathtë, Bullgaria Demokratike.

Ndërsa shefja e re e diplomacisë bullgare është Teodora Gencovska, e cila është anëtare e stafit të partisë ITN të Slavi Trifonov.

Lidhur me problemet mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, Albanian Post ka realizuar një dokumentar të cilin mund ta gjeni në vijim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore