Lajme

Rreth një javë pas rënies, blloku A-5 i Kosovës A rikthehet në operim


Korporata Energjetike e Kosovës

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka njoftuar të hënën nëpërmjet llogarisë zyrtare në “Facebook” se blloku A-5 i Termocentralit Kosova A – i cili ra nga sistemi vetëm pak ditë pasi ishte funksionalizuar – është rikthyer sërish në operim pas fazës testuese.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, pati njoftuar me 7 maj se është rikthyer njësia, por KEK-u nuk kishte njoftuar fare për rënien e tij. KEK-u kishte konfirmuar rënien vetëm pas publikimit të Albanian Post, por kishin thënë se është bërë me qëllim, për shkak se ishin në fazë testuese.

KEK-u të hënën njoftoi se njësia A-5 i Kosovës A, pas përfundimit të remontit kapital dhe eliminimit të të gjitha vërejtjeve të evidentuara gjatë fazës testuese, është rikthyer në operim të hënën, rreth një javë pas rënies.

“Njësia A-5 pas përfundimit të remontit kapital dhe eliminimit të të gjitha vërejtjeve të evidentuara gjatë fazës testuese, kjo njësi është rikthyer në operim sot pas mesnate me datë 21 maj 2023. Sot në operim ka tri njësi të TC-A dhe një njësi të TC-B-së”.

Blloku A-5 para shumë muajsh do të duhej të dërgohej në riparim, në mënyrë që të rikthehej më pas në punë pa prishje. Por, qëllimshëm ishte anuluar projekti për Riparimin Kapital të kaldajës së bllokut A-5.

Ishte Ministrja e Ekonomisë, e cila me 7 maj shkroi në Facebook se “dhuratë më të mirë” se lajmi që njësia A5 e Kosovës A në KEK është rikthyer në funksion, nuk ka marrë për ditëlindje, por burimet e Albanian Post treguan se blloku sërish kishte rënë.

Madje, prishja kishte ndodhur pikërisht në vendin ku do të duhej të bëhej remonti/riparimi, i cili nuk u bë asnjëherë, për shkak të dallavereve që ndodhën në Korporatën Energjetike të Kosovës, për çka edhe është arrestuar kryeshefi i KEK-ut, Nagip Krasniqi, nën dyshimin për korrupsion.

Mashtrimi që nuk zgjati as 10 ditë: Ka rënë sërish blloku A5 i Kosovës A –“s’është bërë remonti, gjithmonë do ketë probleme”

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore