Lajme

Mashtrimi që nuk zgjati as 10 ditë: Ka rënë sërish blloku A5 i Kosovës A –“s’është bërë remonti, gjithmonë do ketë probleme”


Kosova A, Korporata Energjetike e Kosovës

Lajmi që u prezantua me pompozitet nga Qeveria e Kosovës se më në fund është kthyer në funksion blloku A5 i Kosovës A, po del të jetë vetëm një marketing për t’iu shpëtuar kritikave.

Burime të Albanian Post brenda Korporatës Energjetike të Kosovës kanë bërë me dije se blloku punoi vetëm pak ditë dhe tash prapë është jashtë funksionit.

Ishte Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, e cila me 7 maj shkroi në Facebook se “dhuratë më të mirë” se lajmi që njësia A5 e Kosovës A në KEK është rikthyer në funksion, nuk ka marrë për ditëlindje, por burimet e AP-së tregojnë se blloku sërish është jashtë funksioni.

“A5 ka rrjedhje të kaldajës dhe ka dalë nga sistemi”, tregon burimi brenda KEK-ut.

Madje prishja ka ndodhur pikërisht në vendin ku do të duhej të bëhej remonti/riparimi, i cili nuk u bë asnjëherë, për shkak të dallavereve që ndodhën në Korporatën Energjetike të Kosovës, për çka edhe është arrestuar kryeshefi i KEK-ut, Nagip Krasniqi.

“Aty ku ka pas të bëhet ai remonti i cili ka dështuar”, aty edhe ka ndodhur rrjedhja tha burimi në kushte anonimiteti.

Ai tregoi se punëtorët e KEK-ut vetë kanë bërë të pamundurën për ta rregulluar, por “ajo pa pajisje nuk mund të bëhet, është e pamundshme”.

“Ka pas rrjedhje në kaldajë, tash po mundohen ta evitojnë rrjedhjen dhe ta rikthejnë në funksion sa më shpejt që është e mundshme. Ende është duke u punuar në të, që të evitohet rrjedhja”, vazhdon më tej burimi.

Blloku A5 para shumë muajsh do të duhej të dërgohej në riparim, në mënyrë që të rikthehej më pas në punë pa prishje. Por, qëllimshëm ishte anuluar projekti për Riparimin Kapital të kaldajës së bllokut A5.

Albanian Post pati publikuar edhe një e-mail kur drejtori teknik i Termocentralit Kosova A njoftonte për nevojën e menjëhershme të remontit.

“Ju rikujtoj se blloku A5 ka arritur orët e punës dhe ka arritur nevojën për remont, nëse nuk procedohet ju informoj se siguria e bllokut në operim është me problem dhe arritja e energjetik do të ketë problem”, thuhet në e-mail.

“Blloqet janë të vjetra dhe kanë nevojë për riparimet – remontet, në mënyrë që të kemi siguri në punën e blloqeve”, thoshte e-maila e dërguar me 29 korrik të vitit 2021.

Aty kuptohej se ishte menaxhmenti i KEK-ut që kishte ndalur projektin e riparimit të kaldajës në bllokun A5, përkundër paralajmërimeve për prishje.

Tek pjesa e subjektit thuhet: “Arsyet e anulimit të projektit Riparimi Kapital i kalldajës së bllokut AP është… kërkesë e këshilltarit dhe njëkohësisht drejtorit menaxahues (Përparim Kabashi). Siç e dini, blloku i ka arritur orët e punës dhe çdo vonesë në të ardhmen do na shkaktojë probleme”.

Kështu, blloku A5 pothuajse për një vit mbeti jashtë përdorimi, për shkak se nuk u dërgua në remont me kohë dhe u de-funksionalizua më pas.

Mesatarisht ky bllok prodhon energji elektrike mjaftueshëm për të mbuluar mbi 10 për qind të nevojave të Kosovës.

Për të mbuluar mungesat e mosprodhimit të Bllokut A5, Kosova ka paguar rreth 1 milion euro import ditor.

Po të mos ndalohej projekti dhe A5 të ishte funksional, Kosova nuk do të kishte nevojë të importonte, rrjedhimisht nuk do të kishte nevojë të ngritje çmimi i energjisë elektrike.

Gjendur nën këtë presion, sidomos pas arrestimit të Krasniqit, ministrja doli për të dhënë lajmin e madh me 7 maj se blloku u kthye.

Por, siç shihet, ishte vetëm një kthim i përkohshëm dhe prishja ka ndodhur veç pak ditë prapa.

“Kjo rrjedhje mund të evitohet varësisht nga rrjedhja çfarë është, dhe varësisht sa shpejt mund ta gjejnë. Rrjedhja me gypat e kaldajës është problem, sepse aty ka gypa shumë, tash varet sa shpejt mund ta gjejnë, ta saldojnë dhe të vazhdoj puna. Mund të zgjasë 24 ore, 48 orë, nuk mund ta di saktë sa do të marrë kohë”, tha burimi i AP-së brenda KEK-ut.

Gjithsesi, edhe nëse evitohet prishja përkohësisht, sipas të njëjtit burim, “aty remonti nuk është bërë si duhet dhe realisht gjithmonë do të ketë probleme”.

Dallaveret e Nagip Krasniqit: I siguroi kundërligjshëm kompanisë greke tender prej 1 milion e 600 mijë eurove

Me 19 prill u arrestua drejtori i KEK-ut, Nagip Krasniqi, nën dyshimin se – pos tjerash – keqpërdori në një tender prej 3.4 milionë euro me kompaninë “Litwin SA” dhe partnerin vendor “Bujar B. Shala B.I.”, për tenderin rreth kryerjeve të punëve për remontin e turbinës dhe gjeneratorit të Njësisë A5 të TC “Kosova A”.

Krasniqi po ashtu ishte akuzuar nga kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, se rënia e Bllokut A3 dhe A5 është bërë qëllimshëm, por ky i pari e kishte mohuar një gjë të tillë.

Më 2 dhjetor të vitit të kaluar, Krasniqi ishte ftuar për të raportuar para Komisionit Hetimor Parlamentar i Kosovës në lidhje me procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022.

Por, e kishte lëshuar mbledhjen pas pyetjes së kryetarit të këtij komisioni, Hajdar Beqa, i cili kishte kërkuar informacione nga Krasniqi për mos fillimin e remontit të bllokut A5 në Termocentralin “Kosova A”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore