Lajme

Blinken: Serbia dhe Kosova duhet të bëjnë kompromise të vështira për arritjen e qëllimeve


Sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken.

Në ditën kombëtar të shteti serb, sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken, ka deklaruar se Kosova dhe Serbia duhet të bëjnë kompromise të vështira për të arritur normalizimin e raporteve në mes dy vendeve, po ashtu për të arritur siguri e prosperitet për qytetarët.

Ndër të tjera, në letrën e Blinken dërguar institucioneve serbe, ai ka përshëndetur angazhimin konstruktiv të Serbisë me zyrtarët e SHBA-së, BE-së, Francës, Gjermanisë dhe Italisë gjatë vizitës së fundit në Beograd.

“Jam i bindur se normalizimi i raporteve në mes të Serbisë dhe Kosovës do të sjellë siguri dhe prosperitet për Serbinë dhe të gjithë qytetarët e Ballkanit Perëndimor. Sigurisht, liderët e Serbisë dhe të Kosovës duhet të bëjnë kompromise të vështira për t’i arritur këto qëllime, por shpërblimi për popullin serb dhe për tërë rajonin  do të jenë të mëdha”, ka thënë Blinkeni në letrën e publikuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit.

Tutje, Blinken në urimin e tij për Serbinë, për Ditën e Shtetësisë ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) e vlerësojnë partneritetin strategjik me Serbinë.

“SHBA-ja është mbështetëse e fuqishme në ambiciet e Serbisë për në Bashkimin Evropian. Jemi të përkushtuar të punojmë me ju dhe partnerët tanë të BE-së drejt këtij qëllimi të rëndësishëm. Mirëprita angazhimin konstruktiv të Serbisë me zyrtarët e SHBA-së, BE-së, Francës, Gjermanisë dhe Italisë në vizitën e fundit në Beograd”.

Edhe, Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, me rastin e Ditës së Shtetësisë, i ka dërguar një mesazh urimi presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, transmeton rrjeti ballkanik i lajmeve N1.

Biden në letrën e tij ka shkruar se SHBA-të e mbështesin dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, ndërsa shtoi se e mirëpresin edhe pranimin e propozimit të BE-së nga pala serbe.

Kosova dhe Serbia kanë nisur negociatat për normalizimin e marrëdhënieve më 2011, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, procesi i negociatave pritet të përfundojë me marrëveshje ligjërisht të detyrueshme.

Ndonëse Kosova deklaron se kjo marrëveshje duhet të përfshijë njohjen e ndërsjellë, Serbia nuk pranon, duke insistuar në “zgjidhje kompromisi”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore