Përballje

BKT Superliga/ Fitojnë kryesuesit


Janë zhvilluar tri ndeshje të xhiros së 21-të në BKT Superligën e Kosovës në futboll, ku nuk pati vend për rezultate befasuese.

Lideri aktual i tabelës, Ballkani, ka shënuar fitore bindëse me rezultat 3:0 kundër Ulpianës.

Vendasit nga Theranda dominuan lojën që nga fillimi e deri në fund, të cilët golin e parë e gjetën në minutën e 41-të përmes Edvin Kuc.

Tre minuta pas golit të epërsisë, Blend Baftiu i dha avantazhin e dyfishtë ekipit të tij, para se skuadrat të shkonin në pushim të pjesës së parë.

Fitoren më të lehtë ia bëri Ballkanit edhe përjashtimi i futbollistit të Ulpianës, Egzon Qerimi, i cili mori karton të kuq në minutën e 50-të.

Ndërsa, Mevlan Zeka ishte ai që vulosi fitoren e Ballkanit, kur në minutën e 75-të realizoi për rezultatin përfundimtar 3:0.

Me këtë fitore, Ballkani merr kreun e tabelës përsëri, duke arkëtuar 42 pikë, derisa Ulpiana gjendet në vendin e tetë me 18 pikë.

Fitore bindëse arriti edhe Llapi, të cilët mposhtën me lehtësi skuadrën e Feronikelit, me rezultat 4:2.

Të besuarit e trajnerit, Tahir Batatina, shënuan plotë katër gola gjatë pjesës së parë, për të shkuar drejt një fitoreje të rëndësishme në këtë xhiro.

Braziliani, Alef Firmino, hapi serinë e golave që në minutën e gjashtë, pastaj katër minuta më vonë, Adem Maliqi dyfishoi shifrat.

Ganezi, Amar Latif shënoi për 3:0 në minutën e 34-të, ndërsa katër minuta para se të përfundonte pjesa e parë, ishte braziliani tjetër, Bianor, që shënoi pokerin e golave për skuadrën e Llapit.

Në pjesën e dytë, llapjanët u dorëzuan disi, falë edhe komoditetit në rezultat, por Feronikeli provoi që të rikthehej në lojë.

Seferi realizoi gol për mysafirët nga Drenasi në minutën e 71-të, derisa Kiqina shënoi të dytin, gjastë minuta para se të përfundonte koha e rregullt, por kjo doli të jetë vetëm për rezultatin përfundimtar 4:2.

Me këtë fitore, Llapi ka bërë një hap të mirë, duke u ofruar në gjasthë pikë larg kreut të tabelës, ndërsa Feronikeli është zhytur edhe më thellë në pozitën e fundit, me vetëm 11 pikë të grumbulluara.

Fitore shumë të rëndësishme arriti edhe Drita, të cilët mposhtën në udhëtim Malishëven, me rezultat 1:2.

Pjesa e parë përfundoi pa gola, pavarësisht përpjekjeve nga të dyja skuadrat, derisa në fraksionin e dytë u shënuan tre gola.

Marko Simonovski zhbllokoi rezultatin në minutën e 79-të, derisa në të 61-tën ishte Astrit Fazliu që shënoi nga penalltia, për të dyfishuar erpësinë e mysafirëve.

Angelzi, Yoan Marc-Olivier arriti të ngushtonte rezultatin në minutën e 82-të, por ky doli të jetë vetëm goli i nderit nga Malisheva.

Me këtë fitore, Drita mbetet në vendin e dytë në tabelë, me 41 pikë të mbledhura, një më pak se lideri Ballkani, ndërsa Malisheva gjendet në pozitën e shtatë me 23 pikë.

Raundi i 21-të në Superligën e Kosovës, do të mbyllet të enjten, ku do të zhvillohen ndeshjet: Drenica – Prishtina dhe Gjilani – Dukagjini.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore