Financa

Bitcoin rekord të ri historik, kompanitë drejt kriptovalutave


Kriptovaluta Bitcoin, ka tejkaluar vlerën e 50 mijë dollarëve, duke vendosur një rekord historik gjatë të martës së 16 shkurtit. Kompanitë më të mëdha në botë po kapërcejnë drejt monedhave virtuale për transaksionet e tyre, duke shkaktuar rritje kaq të lartë në treg në kaq pak kohë.

Kjo është hera e parë që vlera e një kriptovalute kalon 50 mijë dollarët. U shënua një rritje me 3% duke e çuar në 50 mijë e 487 dollarë deri në 13.30, me orën lokale të Tiranës.

Kompani si Tesla, Mastercard, BNY Mellon, kanë mbështetur kalimin e transaksioneve në monedha virtuale. Kjo ka bërë që këto të fundit të rriten në mënyrë të beftë. Pagesat digjitale po tregojnë gjithashtu ngritje dhe klientët po e mbështesin formën e re të investimit.

Plani i Tesla-s për të pranuar kriptopagesa, është mbështetur edhe nga kompani të tjera të cilat influencojnë shijet e klientëve.

Ekspertë të ndryshëm gjithashtu mendojnë se e ardhmja e pagesave, do të jetë ajo “kripto”.

Ky fenomen i Bitcoin-it, ka bërë që shumë njerëz të pasurohen për shkak të investimeve që kanë bërë në periudha kur monedha ka qenë në rangun e 5 mijë dollarëve. Për shumë prej investitorëve, brenda vitit janë dhjetë-fishuar të ardhurat.

Valuta të tjera si Ethereum apo Dogecoin, po shohin gjithashtu rritje të mëdha në treg. Këto zhvillime mund të ndikojnë më tej në zhdukjen e pagesave monetare tradicionale. Gjithashtu, gjurmimi i parave në formën e kriptovalutës, është shumë i vështirë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore