Lajme

Bislimi pretendon se u kërcënua nga Tahiri, fton prokurorinë për hetime


Besnik Bislimi dhe Abelard Tahiri

Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë se deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka sharë dhe kërcënuar atë, pasi ka ndaluar mikrofonin në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës.

“Abelard Tahiri nga kjo foltore nxori një sërë akuzash për ministren Haxhiu. Pasi e mbylli mikrofonin, m’u drejtua mua me një sërë kërcënimesh që i shoqëroi me të shara e fyerje ndaj meje. Kërkoj nga Prokuroria të marrë masa”, ka thënë Bislimi.

Megjithatë me konstatimin e Bislimit nuk u pajtua Tahiri.

“Vërtetë është një çoroditje e kësaj qeverie. A janë duke i pa sjelljet e këtyre? Këta e kanë një siklet të madh, një problem të madh. As vendi-vend nuk po i zen. Ky është me të vërtetë në një gjendje të rëndë edhe psikike. Del në foltore flet të pavërteta”, ka replikuar Tahiri.

E në mbrojtje të bashkëpartiakut të tij i ka dalë, ministri i Financave, Hekuran Murati.

Murati ka bërë të ditur se ai ka dëgjuar se Tahiri ka sharë e kërcënuar Bislimin pas ndaljes së mikrofonit.

“Unë isha dëshmitar i fyerjeve dhe kërcënimeve të deputetit Tahiri. Mund ta konfirmoj se pas mbylljes së mikrofonit deputeti kërcënoi dhe shau zëvendëskryeministrin. Ftoj prokurorinë sepse nuk kishte vetëm sharje, por edhe kërcënim”, ka thënë Murati.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore