Lajme

Bislimi në takim me Hovenierin, përsërit përkushtimin e Kosovës për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit


Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi dhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi është takuar me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier me të cilin ka diskutuar për arritjen e liberalizimit të vizave për Kosovën.

Lajmi është bërë i ditur përmes një komunikate dërguar mediave.

“Ambasadori Hovenier e përgëzoi dhe uroi zëvendëskryeministrin Bislimi mbi finalizimin dhe arritjen e liberalizimit të vizave për Kosovën dhe nënshkrimit zyrtar duke e cilësuar ditën e djeshme të suksesshme”, thuhet në komunikatë.

Teksa tutje është diskutuar edhe për procesin e dialogut dhe implementimin e marrëveshjes së Ohrit.

“Në takim u diskutua dhe mbi procesin e dialogut dhe implementimin e Marrëveshjes Bazë të normalizimit të marrëdhënieve dhe Aneksit të Zbatimit. Zëvendëskryeministri Bislimi potencoi se Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet e përkushtuar, aktive dhe konstruktive në këtë proces”.

Hovenier dhe Bislimi theksuan edhe marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë aleati dhe partneri strategjik kryesor i Republikës së Kosovës. Thellimi i marrëdhënieve mes dy shteteve tona është objektiv primar dhe vizita e zëvendëskryeministrit Bislimi me ministrin Murati javën e kaluar në SHBA e riafirmoi dhe synimin për të vazhduar fuqizimin e marrëdhënieve ekonomike dhe shkëmbimeve tregtare mes nesh”.

Kosova dhe Serbia dhanë dakordimin e tyre për Aneksin Zbatues të Planit Evropian për rrugën drejt normalizimit. Ky dakordim iu dha përfaqësuesve të Bashkimit Evropian në Ohër të Maqedonisë së Veriut, ndërkaq dokumenti i dakorduar në tërësi iu paraqit edhe Këshillit Evropian.

Kjo marrëveshje nuk e përfshinë njohjen reciproke mes të dy vendeve, por kërkon nga të dyja që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat, targat e veturave dhe vulat doganore.

Megjithatë, gjatë ditëve të fundit janë djegur disa vetura në komunat e banuara me shumicë serbe në veri të Kosovës. Disa prej veturave ishin me targa të Kosovës, ndërsa disa tjera me targa të Serbisë, prandaj ekspertët po vlerësojnë se tensionet mund të rikthehen sërish në këtë pjesë.

Marrëveshja e Ohrit kërkon nga palët, ndër të tjera, që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, përfshirë edhe atë për formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Ndryshe, takimi i rradhës i nivelit të lartë ndërmjet kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiç, ndonëse nuk është dhënë ende një datë zyrtare, mund të mbahet dikur në fund të muajit prill ose në fillim të muajit maj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore