Lajme

Bislimi: Në Kosovë është veç një ligjërues i rolit të sindikatave – Unë


Besnik Bislimi

Debatit publik se a duhet apo jo të paguhen mësimdhënësit të cilët që nga 25 gushti ishin në grevë të përgjithshme së fundmi është inkuadruar edhe zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Besnik Bislimi.

Por, për dallim nga akterët kryesor të këtij debati nga radhët e ekzekutivit, Bislimi nuk ka preferuar ta jap qëndrimin e tij për këtë çështje me pretekstin se ai është ftuar në Komision për raportim, e jo në debat në Kuvendin e Kosovës.

Edhe pse i njëjti ka refuzuar në mënyrë eksplicite të deklarohet për këtë çështje, ai në mënyrë të tërthortë ka bërë të qartë se është në linjë me Qeverinë kur fjala është për respektimin e “Ligjit për Grevën”.

Bislimi i cili është edhe ligjërues i ekonomisë në njërën nga kolegjet private në Kosovë, ka deklaruar se përveç tij askush në Kosovë nuk mund të jap leksione për rolin e sindikatave, por se për një gjë të tillë nuk është as vendi e as momenti.

“Për paga kam shumë çka për të thënë, por jo këtu në raportim në Komisionin për Integrime Evropiane. Në Kosovë është vetëm një ligjërues i rolit të sindikatave, veç unë mund të ligjëroje për rolin e sindikatave, mund të ligjërojë 16 ditë në çoftë se dëshironi”, ka thënë Bislimi ndërsa anëtarët e këtij komisioni kanë kërkuar qëndrimin e tij për çështjen e mosekzekutimit të pagave për mësimdhënësit për muajin shtator ndërsa ata ishin në grevë.

Insistimin e anëtarëve, Bislimi e ka relativizuar duke thënë se për këtë çështje Qeveria e Kosovës ka një zgjidhje dhe këtë zgjidhje do ta prezantojë Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

“Ne kemi zgjidhjen sot del kryeministri tregon zgjidhjen. Në Kuvend mund të diskutoni për politika sociale kanë me ble dru nuk kanë me ble dru, Qeveria duhet të vendos në bazë të ligjeve, mos e vendosni arsimtarin në nivel social, kanë me ble turshit nuk kanë pare, ajo është sociale”, ka shtuar ai.

Çka ndodhi?

Mësimdhënësit të cilët ishin në grevë që nga 25 gushti nuk do të marrin pagën e muajit shtator.

Një gjë të tillë e ka rikonfirmuar edhe ministri i Financave, Hekuran Murati, pasi të njëjtën gjë një ditë më parë deklaroi edhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci.

Për ta arsyetuar këtë vendim, Murati po bazohet në dy nene të Ligjit për Greva.

“Do ta zbatojmë ligjin sa i përket pagave për grevistët”, ka thënë shkurt ai.

I pari është neni 18 ku flitet për “efektet e grevës së ligjshme” dhe në pikën 1 të këtij ligji thuhet se “gjatë zhvillimit të grevës pezullohen detyrimet, që rrjedhin nga Kontrata e Punës”, derisa është edhe neni 7, pika 1, ku është përmirësuar neni bazik 18 i ligjit, the ku togfjalëshit “Kontrata e Punës” i shtohet fjalia “duke përfshirë të drejtën në pagesë dhe detyrimin e bindjes për të punuar”.

Megjithatë juristët e kanë interpretuar në forma të ndryshme këtë ligj. Disa thonë se ka bazë ligjore për të ndaluar pagat e të tjerë deklarojnë se këto dy nene nuk thonë që të ndalet paga dhe mos pagesa është e kundërligjshme.

Ndryshe në anën tjetër Sindikata e Bashkuar e Arsimit dhe Shkencës nuk e ka përjashtuar mundësinë e rikthimit të grevës nëse deri të mërkurën e 5 tetori nuk ekzekutohen pagat e muajit shtator nga Qeveria e Kosovës për mësimdhënësit.

Pas një muaj grevë të hënën e 3 tetorit ka nisur viti i ri shkollor në të gjitha institucionet arsimore publike në Kosovë.

Sindikalistët morën vendim që grevën e nisur që nga 25 gushti të e pezullojnë deri në janarin e 2023-së.

Nga 21 mijë e 516 anëtarë të Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës që votuan, 55.88 për qind janë deklaruar pro propozimit të kryesisë së sindikatës që të ndërpritet greva.

Përveç punëtorëve të arsimit, që nga 25 gushti në grevë ishin edhe punëtorët e administratës publike, si dhe shërbyesit civilë në institucione lokale dhe qendrore.

Partitë opozitare dhe përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile në Kosovë vazhdimisht kanë shprehur shqetësimin për grevën e mësimdhënies në sektorin publik.

Këshilli grevist po kërkonte që paga e mësimdhënësve të rritet prej 100 euro, derisa ta themelojë qeveria Ligjin e Vonuar të pagave.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore