Lajme

Bisimi në Bruksel, takohet me Petkoviçin


Zëvendëskryeministri i Kosovës Besnik Bislimi ka udhëtuar për në Bruksel, për tu takuar me shefin e zyrës së Kosovës në Serbi, Petar Petkovic, në takimin e kësaj të hëne në kuadër të dialogut Kosovë- Serbi, në nivel të kryenegociatorëve.

Kështu ka njoftuar Qeveria e Kosovës përmes një komunikate për media.

“Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, ka udhëtuar drejt Brukselit. Ditën e hënë, pritet të zhvillohen takimet e radhës në nivelin e kryenegociatorëve në procesin e dialogut, e cila do të ketë në fokus zbatimin e sekuencuar të Marrëveshjes Bazë dhe Aneksit të Zbatimit”, thuhet në komunikatë.

Të enjten e javës që lamë pas, emisari i Bashkimit Evropian për dialog, Mirosllav Lajçak, ka qëndruar në Kosovë ku ka takuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, kryetarin e Mitrovicës Jugore, Bedri Hamzën, përfaqësuesit e shoqërisë civile në veri si dhe përfaqësuesit e Listës Serbe.

Ai në një konferencë për media ka njoftuar se të hënën do të takohet me kryenegociatorët nga Kosova, Besnik Bislimin, dhe nga Serbia, Petar Petkoviçin.

“Do të takohem me kryenegociatorët, Bislimin dhe Petkoviç të hënën në Bruksel, pra kjo është shumë e rëndësishme që të kemi qartësi në atë se si të vazhdojmë, kemi marrëveshjen, kemi aneksin, kështu që duhet të kemi një kuptim të qartë të hapave”, deklaroi ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore