Lajme

Biserko: Perëndimi dalëngadalë po e humb durimin me manipulimet e Vuçiç-it


Sonja Biserko

Kryetarja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut, Sonja Biserko, në një prononcim për televizionin malazez “Grandska”, tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës e mashtruan veten kur menduan se Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, do të ishte faktor stabiliteti në rajon.

Megjithatë, sipas saj, në momentin kur amerikanët do të kenë zbuluar se sa e korruptuar është Serbia, politika e tyre ndaj Vuçiç-it do të ndryshojë pashmangshmërisht, ndërsa shtoi se ekziston një strategji për rajonin e Ballkanit Perëndimor që nuk është gjithmonë e qartë dhe transparente.

“Cila është strategjia e tyre në fund, nuk mund të them me siguri, por ajo që di është se ata janë këtu për sigurinë e rajonit dhe para së gjithash për ta mbyllur çështjen e Kosovës. Sa i përket Serbisë, ky është prioriteti i tyre”, tha Biserko, ndërsa shtoi se manipulimeve të Vuçiç-it po iu vjen fundi.

“Perceptimi i tyre është se Serbia është faktori më i madh i stabilitetit në rajon, i cili për mendimin tim është i gabuar. Ata menduan se duhet ta bëjnë atë prioritet. Për mendimin tim, kjo është e gabuar dhe ne duhet të kishim punuar për stabilitetin e vendeve fqinje”, potencoi Biserko.

Vuçiç është tronditur mjaft në terrenin vendor. Në Serbi aktualisht po organizohen protesta masive si reaksion popullor kundër regjimit të tij. Nga ana tjetër, ai organizoi një “kundër-protestë” si kundërpërgjigje ndaj opozitës, në të cilin morën pjesë edhe serbë nga Kosova.

“Tani shumë gjëra do të sqarohen në vetë Serbinë dhe në qëndrimin e bashkësisë ndërkombëtare, e cila dalëngadalë po e humb durimin me të gjitha manipulimet e Vuçiç-it. Problemi është se në këtë moment, ata nuk e dinë kush do të jetë në anën tjetër”, vlerësoi Biserko.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por edhe Bashkimi Evropian, përgjatë viteve të fundit i kanë thelluar angazhimet e tyre ndaj presidentit gati autokratik të Serbisë, kanë vlerësuar analistët, ndërsa në të njëjtën kohë riorientuan qëndrimin e tyre më të gjerë rajonal në Beograd dhe prioritetet e tij të politikës së jashtme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore