Shqipëria

Bilanci javor i Policisë së Shtetit: 235 arrestime dhe 21 persona në kërkim


Policia e Shtetit ka publikuar në profilin e saj zyrtar në “Facebook” bilancin javor të luftës ndaj veprimtarive kriminale që përmbyllet me rreth 235 arrestime dhe shpalljen e 21 personave në kërkim.

Fillimisht, autoritetet bëjnë me dije se janë arrestuar 12 persona që kanë qenë më herët në kërkim kombëtar – 2 prej tyre në kërkim ndërkombëtar.

Gjithashtu Policia ka shpallur në kërkim 21 persona.

Në kuadër të 10 operacioneve janë arrestuar 34 shtetas, nga këta 18 në kuadër të operacionit “Astrolabio”.

Ky i fundit ishte operacion ndërkombëtar që u zhvillua me autoritetet italiane dhe greke për kalim të paligjshëm të kufirit.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 29 raste, për të cilat janë proceduar e arrestuar 29 persona.

Për krimet mjedisore, lojërat e fatit dhe ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit janë proceduar dhe arrestuar 73 persona.

Ndërkaq, për dhunë në familje janë arrestuar 16 persona, janë proceduar penalisht 2 persona dhe është shpallur në kërkim një person.

Gjithashtu, janë arrestuar 6 persona dhe janë proceduar penalisht 4 të tjerë, për kundërshtim të punonjësve të Policisë.

Në fushën e krimit ekonomik e financiar janë evidentuar 21 raste në të gjithë vendin, për të cilat janë proceduar e arrestuar 21 persona.

Janë zbardhur 16 raste të vjedhjes së pronës dhe janë vënë në pranga 16 autorët e dyshuar të këtyre vjedhjeve.

Për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, janë proceduar e arrestuar 40 drejtues mjetesh.

Në përmbyllje të bilancit, Policia njofton edhe zbulimin e dy laboratorëve për prodhimin e kriptomonedhave.

Policia ka sekuestruar 4 armë zjarri, lëndë narkotike kokainë dhe kanabis, municion luftarak, armë të ftohta, shuma parash dhe sende të tjera të kundërligjshme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore