Lajme

Biden-Zelenskiy takohen më 30 gusht


Volodymyr Zelenskiy, president i Ukrainës, ka zbritur edhe në kufirin me Rusinë, në “fushëbetejën e Donbass-it”, por më 30 gusht, ai do të udhëtojë drejt Washington-it për të takuar homologun e tij amerikan, Joe Biden.

Ky takim do të jetë i pari i këtyre niveleve mes dy homologëve, pas mbështetjes së vazhdueshme dhe lobimit pro-ukrainas që SHBA-të kanë ndërmarrë që prej aneksimit të rajonit të Crimea-s, i quajtur si i jashtëligjshëm.

Ajo që pritet? Vijimi i mbështetjes së pakushtëzuar amerikane për Ukrainën. Kjo, përkatësisht për sovranitetin dhe integritetin territorial të Kievit zyrtar.

Viti 2014 – kur Crimea u aneksua – shënoi krisjen tërësore midis Ukrainës dhe Kremlinit. Prej shtatë vjetësh aktive ndërkaq, lufta në Donbass ka marrë rreth 14 mijë jetë njerëzish, sipas pretendimeve ukrainase.

Takimi do të ketë edhe një fokus tjetër, atë të zhvillimit të projektit Nord Stream 2. Ky, është një projekt gazsjellës nga Rusia drejt Gjermanisë, i cili për të evituar territorin ukrainas, do të kalojë poshtë detit Baltik.

Kjo i tremb ukrainasit, pasi do të përjashtohen nga vjelja e taksave mbi kalimin e gazsjellësit. Kështu, duke shkaktuar një dëm në ekonominë vendase.

Gjithsesi, nga ana e Gjermanisë është garantuar se nëse diçka e tillë ndodh, do të ketë sanksione shtesë ndaj Moskës.

Biden ka pasur edhe një takim – të fundit – me kancelaren në largim të Gjermanisë, Angela Merkel. Një ndër objektet e diskutimit ka qenë pikërisht ky, por detaje nuk janë bërë të ditura.

Biden ka kërkuar edhe të ndërmjetësojë bisedimet Moskë-Kiev. Një përpjekje kjo, për t’i zbutur disi ato. Mirëpo, ende pa rezultat.

Ndërsa në vëmendje të Zelenskyi-t, do të jetë edhe shpalosja e planit anti-korrupsion, të cilin Ukraina ka ndërmarrë.

Ky plan, ka qenë po ashtu në dylbitë e amerikanëve, të cilët kanë vëzhguar procesin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore