Shqipëria

Berishën në KAS e shqyrton një ish-ministër i tij, Alibeajn relatori nga radhët e PS


Do të jetë Ilirjan Rusmajli relator për çështjen e Partisë Demokratike, lidhur me pretendimet e Sali Berishës në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe Koli Bele nga ana tjetër, ai i cili do të trajtojë kauzën e PD-së së Enkelejd Alibeajt dhe pretendimeve të ngritura prej tij.

Ky ka qenë shorti i hedhur lidhur me ankimet e ardhura në Komisionin e Ankesave dhe  Sanksioneve pranë KQZ-së, ku më tej, për kërkesën e Lëvizjes Bashkë, relator është caktuar Elvis Çefa.

Kështu, Berishën do ta shqyrtojë një ish-ministër në kabinetin e tij të parë, pasi Rusmajli, përtej faktit se ka qenë deputet në radhët e PD-së, ka shërbyer edhe si ministër i Drejtësisë dhe zëvendëskryeministër, prej vitit 2005 deri në 2008.

Rusmajli prej kohësh i ka ndarë rrugët me politikën aktive dhe është pjesë e KAS-it. Megjithatë, do të jetë interesante të shihet se si do të zhvillohet kërkesa e Berishës në organin e ankimimit.

Drejtuesi i PD-së, ka kundërshtuar vendimin e Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, i cili parashtroi se në bazë të Gjykatës së Tiranës, kryetar legjitim i PD-së është ende Lulzim Basha dhe kësisoj, Berisha nuk mundet të përdorë në 14 maj simbolet dhe vulën juridike të forcës së djathtë politike.

Këtë të drejtë, ai ia njohu grupimit të Enkelejd Alibeajt, por ka kërkuar plotësim të dokumentacionit me një firmë të Bashës, si kryetar partie.

Për këtë, Celibashi la edhe një afat 48-orësh, i cili tashmë është përmbyllur, ku plotësim dokumentesh nga ana e Alibeajt nuk ka pasur, e aq më pak firmë të Bashës.

Por, ai ka dërguar një letër argumentimi, ku shpjegohet se prej një viti Basha e ka lënë funksionin dhe se fuqinë juridike për të vepruar, e ka vetë Alibeaj.

Mbi këtë, kryekomisioneri ende nuk ka marrë vendim të prerë, nëse do ta regjistrojë apo jo PD-në e Alibeajt si ajo legjitime në zgjedhje.

Kështu, njëkohësisht, ky i fundit ka dërguar edhe kërkesën për shfuqizim të vendimit të argumentuar, ku Celibashi kërkon plotësim dokumentacioni.

Këtë çështje në dorë do ta marrë Koli Bele, i cili vjen nga radhët e PS dhe prej kohësh është një prej anëtarëve të KAS.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore