Shqipëria

Berisha “shtyn” Alibeajn nga foltorja e Kuvendit të Shqipërisë – “Ishte një keqkuptim”


Fill pas mbarimit të fjalës së kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, në foltoren e Kuvendit të Shqipërisë zuri vend kryetari i mandatuar i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj.

Gjatë këtij momenti, ish-kryeministri Sali Berisha u drejtua për nga foltorja duke shtyrë Alibeajn për të marrë fjalën.

Si Alibeaj, ashtu edhe Berisha kërkuan të replikonin me Ramën.

Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së ia la vendin ish-liderit të demokratëve, por kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, nuk i dha fjalën Berishës.

Nikolla, pasi i dha fjalën deputetit të Partisë Republikane, Fatmir Mediu, i parashtroi masën disiplonore “tërheqje vëmendjeje” Berishës për gjestin ndaj Alibeajt.

Ndërsa, në një komunikim për mediat jashtë dyerve të Kuvendit, Berisha deklaroi se ishte një keqkuptim gjesti me Alibeajn.

Kjo pasi Berisha kishte hyrë me vonesë në parlament dhe nuk e dinte se Nikolla ia kishte dhënë fjalën edhe Alibeajt për të bërë replikë me Ramën.

“Në çdo aspekt më takonte fjala, unë dola për diçka tjetër. Alibeaj do t’i kthente përgjigje se ndoshta i është përmendur emri, po unë s’e dija se erdha me vonesë”, tha Berisha për mediat, pasi u ndërpre seanca për një pushim prej pesë minutash.

Kjo e fundit u kërkua nga kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, pas incidentit mes Berishës dhe Alibeajt.

Çfarë tha Rama?

Më herët nga foltorja, Rama e quajti Berishën “të vdekur” dhe se nuk pranon asnjë propozim nga ana e tij për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Shqipërisë.

“Do të ishte mirë që dy gjëra të ishin të qarta. Me Saliun ne s’kemi punë. Për ne ai është i vdekur. Kuptohet politikisht dhe instucionalisht, jo biologjikisht”, tha Rama në fjalën e tij.

Duke ju drejtuar Grupit Parlamentar të demokratëve, Rama tha se janë të vetmit me të cilët do të konsultohet për zgjedhjen e Presidentit.

“Me ju komunikojmë dhe ndërveprojmë dhe këtë proces për të cilin po flasim, ta bëjmë duke u konsultuar edhe me ju. Nëse del nga goja e të vdekurit, nuk merret parasysh”, theksoi Rama.

Nga ana tjetër, për mediat Berisha tha se Rama ka frikë nga ai, pasi Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit është opozita e vërtetë.

Kjo e fundit doli nga Kuvendi Kombëtar i 11 dhjetorit i thirrur nga ish-lideri i bluve.

“E falënderoj që nuk na njeh, vetëm fakton që opozita e vërtetë e ka tmerruar. Ai është i tmerruar nga opozita e vërtetë, kalon në mohim”, u shpreh Berisha.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore