Shqipëria

Rama zbulon detajet për presidentin e ri: As nga Kuvendi, as nga PS-ja


“Ne ia kemi për borxh Shqipërisë që të gjejmë një president të denjë. Një president që nuk do të dalë nga kjo sallë. Nga ju jo e jo, por as nga ne”.

Kështu u shpreh nga foltorja e Kuvendit, të enjten e 21 prillit, kryeministri Edi Rama, sa i përket përzgjedhjes së Presidentit të Republikës së Shqipërisë.

Roli i këtij të fundit, sipas tij, duhet të jetë përfaqësues i popullit dhe jo i grupeve të veçanta.

Ndër të tjera, kryeministri “sulmoi” edhe ish-liderin e Partisë Demokratike, Sali Berisha, të cilin e konsideroi “të vdekur politikisht”.

“E para me Saliun nuk kemi asnjë punë, ai është i vdekur tashmë. Kuptohet politikisht dhe instucionalisht, jo biologjikisht. Me të vdekurin që keni në mes të shtëpisë dhe nuk dini ç’t’i bëni, neve mos na ngatërroni”.

Më tej, ai tha se, nëse PD-ja i vë përballë Berishën për të diskutuar për emrin e presidentit të ri, atëherë “ne do të ndërpresim çdo marrëdhënie me Partinë Demokratike”.

Rama, duke iu drejtuar Grupit Parlamentar të demokratëve, tha se janë të vetmit me të cilët do konsultohen për zgjedhjen e Presidentit.

“Me ju komunikojmë dhe ndërveprojmë dhe këtë proces për të cilin po flasim, ta bëjmë duke u konsultuar edhe me ju. Nëse del nga goja e të vdekurit, nuk merret parasysh”, theksoi ai.

Kryeministri, drejtuar po grupit parlamentar të PD-së, tha se situata në të cilën ndodhet kjo parti, do të përkeqësohet.

“Ju e dini se mua më dalin fjalët. Ja ku po jua them, më keq do të shkoni, vetëm kini durim”, përmbylli Rama.

Nga ana tjetër, Berisha për mediat tha se Rama ka frikë nga ai, pasi Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit është opozita e vërtetë. Kjo e fundit doli nga Kuvendi Kombëtar i 11 dhjetorit i thirrur nga ish-lideri i bluve.

“E falënderoj që nuk na njeh, vetëm fakton që opozita e vërtetë e ka tmerruar. Ai është i tmerruar nga opozita e vërtet, kalon në mohim”, u shpreh Berisha.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore