Shqipëria

Berisha nga Gjirokastra: Rama – fajtor për krizën energjetike


Ish-kreu i Partisë Demokratike ish-kryeministri e presidenti i Shqipërisë, Sali Berisha, ka mbajtur foltoren e radhës nga Gjirokastra, të mërkurën e 6 tetorit, duke e akuzar kryeministrin, Edi Rama si fajtor për krizën energjetike në Shqipëri.

“Në qoftë se kriza e gazit kap një vend i cili 25% të energjisë e ka nga gazi, si do të na kap ne që 98% të energjisë e kemi nga ujërat tona. Ky është ndjellakeq i paimagjinueshëm, ky vetëm bën thirrje që lëvizni çmimet, rrisni çmimet se po rritet çmimi i gazit ndërkohë që këtu gazi përdoret për gatim dhe tek tuk dimrit për ngrohje”.

Sipas ish-kryedemokratit, vendi ka rezervën më të çmuar hidrike, kaskadën e Drinit.

“Ajo ishte plot e përplot edhe në muajin gusht. Kaskada ishte plot dhe si rezervë strategjike gjithnjë ruhet për vjeshtë. Në verë gjen më lehtë energji për të blerë. Janë konsumuar 1.2 miliardë kilovat janë eksportuar dhe tani kaskada është në vdekje klinike”.

Berisha theksoi se misioni i tij është “shpëtimi i pluralizmit”.

“Jemi thirrur në një mision të ri, në një mision të madh, në misionin për të shpëtuar pluralizmin politik, të demokracisë dhe Partisë Demokratike. Historia është histori, por pluralizmin politik e themeluam”.

Sipas tij, pas 30 vitesh “kemi një qeveri më e korruptuara, më antishqiptarja, qeveri e rekordeve më të zeza që nga diktatura e Enver Hoxhës e deri më sot.

Nga ‘Foltorja’ e Gjirokastrës Berisha hodhi sërish akuza për bashkëpunim në adresë të Lulzim Bashës dhe kryeministrit Edi Rama.

“Ne mblidhemi në një kohë kur Lulzim Basha në 8 vite, e udhëhoqi PD-në nga disfata në disfatë. Nga dështimi në dështim. Vijmë kur në zgjedhjet e 25 prillit, pas këtij seriali dështimesh, ai deklaroi se kjo ishte një masakër zgjedhore. Unë isha i bindur që Edi Rama plaçiti vota më shumë se kurrë në këto zgjedhje, por ne nuk i fituam zgjedhjet”.

Sali Berisha, tha në Gjirokastër se do miratohen ndryshime në statutin e PD, që do sigurojnë se partia të jetë demokratike dhe e lirë.

“Ne do bëjmë gjithçka, që kryetari që humbet zgjedhjet e përgjithshme të mos jetë kryetar. Këto janë praktikat më të mira të vendeve demokratike. Nuk votohet tjetri se është më i miri. Nëse ka pësuar disfatë, vjen tjetri. Basha ka mbyllur dorën e fitores”.

 

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore