Radhitja

Berisha: Jemi të motivuar për kualifikim


Kapiteni i përfaqësueses së Kosovës në basketboll, Dardan Berisha, beson se dardanët do të sigurojnë fitore kundër Luksemburgut dhe Sllovakisë.

Kosova do të ballafaqohet me Luksemburgun më 18 shkurt, kurse pas dy ditëve, më 20 Shkurt do të luajë  me Sllovakinë, në kuadër të ndeshjeve parakualifikuese për Botërorin 2023.

Kapiteni kishte munguar në ndeshjet e nëntorit, por tashmë është i gatshëm të japë 100 % nga vetja për Dardanët.

“Në ndeshjet e nëntorit nuk kam qenë unë, por prapë kemi disa mungesa. Entuziazmi është i madh. Po luajmë në vendin tonë. Motivi është shumë i madh. Shpresoj të përgatitemi sa më mirë. Kemi cilësi, por nëse nuk kemi lëndime kemi gjasa për tu kualifikuar tutje”, tha Berisha për faqen zyrtare të FBK-së.

Kujtojmë që për herë të parë janë grumbulluar me përfaqësuesen e Kosovës, edhe dy lojtarë të rinj si Denis Zenelaj dhe Dion Sheqiri.

Ai foli edhe për mungesën e tifozëve. “Sa herë kemi luajtur në shtëpi, përkrahja e tifozëve ka qenë e madhe. Ka qenë lojtari i gjashtë. Ne e dimë që po luajmë për shtetin dhe jam i bindur që secili do të japë maksimumin nga vetja. Do të na mungojnë shumë tifozët ‘Dardanët’”, deklaroi Berisha.

Të gjitha ndeshjet e Dritares së Tretë të Grupit B do të zhvillohen në Prishtinë.

Ky ishte vendimi i mëhershëm nga Bordi i FIBA Evropës, duke i besuar edhe një ngjarje të rëndësishme Federatës së Basketbollit të Kosovës.

Në këtë grup, Islanda është lidere me tre fitore dhe një humbje, nga dy fitore kanë Kosova dhe Sllovakia, kurse Luksemburgu ndodhet në vendin e fundit me një fitore dhe tri humbje.

Nëse Dardanët shënojnë dy fitore në dy takimet e zhvilluara, atëherë do të kualifikohen në rrethin e ardhshëm.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore