Përballje

Erdhi koha që të mësohet kampioni i Kosovës, Trepça dhe Peja ballafaqohen në finalen e finaleve


Sonte (e enjte) do të mësohet kampioni i ri i Prince Cafe Superligës së Kosovës në basketboll.

Ky edicion do të mbyllet me finalen e pestë mes Trepçës dhe Pejës që do të zhvillohet në “Minatorin” e zjarrtë.

Pra, 2:2 është seria finale, ndërsa të dy skuadrat e duan titullin pas një dekade.

Edicioni po përmbyllet me super sfidë, ndërsa ka qenë njëri nga më interesantit në vitet e fundit, kurse interesimi ka qenë i jashtëzakonshëm, sidomos gjatë “Play-Off”-it.

Në katër takimet finale, mitrovicasit dhe pejanët kishin fituar si vendas. “Xehetarët” fituan 94:86 dhe 97:90, kurse verdhezinjtë fituan 107:79 dhe 87:83.

Të enjten mbrëma nga ora 20:00 palestra “Minatori” pritet të jetë e stërmbushur, ashtu si ka qenë në pjesën më të madhe të këtij edicioni, ndërsa përveç kampionit do të vendoset se, kush do të shpallet MVP.

Mitrovicasit për herë të fundit ishin shpallur kampionë më vitin 2012, kurse pejanët një vit më vonë. Në këtë edicion mitrovicasit fituan Kupën, kurse pejanët ishin finalistë të Ligës Ballkanike.

Për të depërtuar deri në finale, Trepça kishte eliminuar Bashkimin dhe Sigal Prishtinën, ndërsa Peja eliminoi Golden Eagle Yllin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore