Rajoni

Votohet Qeveria e re e Serbisë


Ilustrim

Kuvendi i Serbisë zgjodhi qeverinë e re të drejtuar nga Kreu i Partisë Progresive Serbe (SNS), Millosh Vuçeviç, pas seancës plenare që zgjati disa orë. Qeveria e Serbisë mori mbështetjen e 152 deputetëve të pranishëm.

Konstituimi i Qeverisë së Serbisë vjen në një kohë kur tensionet midis Kosovës dhe Serbisë janë ngritur në nivele shpërthyese, posaçërisht pas ngjarjeve të fundit në pjesën veriore të territorit kosovar me shumicë serbe.

Qeveria e Serbisë u formua katër muaj e gjysmë pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme, në të cilat SNS-ja fitoi mbi gjysmën e shumicës në legjislativin serb. Megjithatë, zgjedhjet nuk ishin as të lira e as të drejta, derisa bashkësia ndërkombëtare u shpreh e shqetësuar për numrin e madh të parregullësive të raportuara gjatë ciklit elektoral të 17 dhjetorit 2023.

Në pozitën e zëvendëskryeministrit do të rikthehet ish-udhëheqësi i shërbimit të inteligjencës serbe (BIA), Aleksandër Vulin, i cili është nën sanksionet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) që nga vitit 2023.

E ministri aktual i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiç, do ta udhëheqë Ministrinë e Punëve të Brendshme, ndërsa Marko Gjuriç, ish-ambasadori i Serbisë në Uashington dhe ish-drejtori i të ashtuquajturës “Zyrë për Kosovë” në Qeverinë e Serbisë, do t’i bashkohet ekzekutivit serb si shef i diplomacisë.

Ministrinë e Mbrojtjes së Serbisë do ta drejtojë Bratisllav Gashiç, deri tani ministër i Punëve të Brendshme, ndërsa Ministrinë e Kulturës do ta marrë Nikolla Selakoviç, ish-shef i diplomacisë serbe (2020-2022), aktualisht ministër i Punës dhe Çështjeve Sociale. E këtë ministri do ta udhëheqë Nemanja Staroviç, ish-sekretari shtetëror i Ministrisë së Mbrojtjes.

Në krye të Ministrisë së Shëndetësisë së Serbisë do të rikthehet Zllatibor Llonçar, ndërsa ministri i deritashëm i Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale, Aleksandër Martinoviç, do ta drejtojë Ministrinë e Bujqësisë. Ministre e Drejtësisë mbetet Maja Popoviç, ndërsa Ministrinë e Financave do ta drejtojë Sinisha Mali, i cili mban këtë pozitë nga viti 2018.

Gjithashtu, postin e ministres për Integrime Evropiane do ta mbajë edhe për një mandat Tanja Mishçeviç, ndërsa Sllavica Gjukiç-Dejanoviç do të jetë sërish ministre e Arsimit. Kreu i Ministrisë për të Drejtat e Njeriut dhe Minoriteteve do të jetë përsëri kroati Tomisllav Zhigmanov, ndërsa ministër i Sportit do të jetë edhe për një mandat Zoran Gajiç, ish-trajner volejbolli.

Ministre e Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale do të jetë Jellena Zhariç Kovaçeviç, ndërsa Adrijana Mesaroviç do të jetë ministre e re e Ekonomisë. Ministër për Investime do të jetë Darko Gllishiç, ndërsa Dejan Ristiç ministër për Informim. Në qeveri do jenë pesë ministra pa portofol.

Kryeministri i Serbisë, gjatë prezantimit të ekspozesë para votimit të qeverisë së re, deklaroi se anëtarësimi i vendit në Bashkimin Evropian (BE) mbetet synim strategjik, por shtoi se disa vende të fuqishme perëndimore duan ta “poshtërojnë” Serbinë duke e detyruar ta njohë pavarësinë e Kosovës.

“Sigurisht që është dëshira e disave që ta poshtërojnë Serbinë duke e njohur të ashtuquajturën pavarësi të Kosovës dhe t’i bashkohet regjimit të sanksioneve kundër Rusisë. Përgjigja e Serbisë duhet të bazohet në përvojën e gjatë historike të popullit tonë se të mëdhenjtë dhe të fuqishmit ndonjëherë mund të na mposhtin, por nuk mund të na poshtërojnë”, deklaroi ai.

Këshilli i Ministrave i BE-së miratoi javën e kaluar vendimin përfundimtar për ndryshimin e tekstit të kushteve nga kapitulli 35 në kuadër të kornizës negociuese për anëtarësimin e Serbisë, i cili, përveç mbulimit të kritereve formale për shtetin serb, adreson edhe zbatimin e marrëveshjeve për normalizimin e raporteve, ku Serbisë i kërkohet njohja de facto e Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore