Sport

Benzema: Ronaldo braziliani dhe Mike Tyson ishin modelet për mua


Karim Benzema ka folur në një intervistë për revisten Icon të El Pais, ku ka diskutuar mbi jetën personale dhe marrëdhëniet me Cristiano Ronaldo-n dhe trajnerin Zinedine Zidane-n.

Bezema mbërriti në Madrid në 2009 së bashku me Ronaldo-n dhe Kaka-n, kohë në të cilën përkonte edhe rikthimi i Florentino Perez-it në krye të gjigandëve spanjollë.

Marrëdhënia me Ronaldo-n

Francezi ka kujtime të shkëlqyera me sulmuesin portugez: “Unë isha shumë i lumtur me Cristiano-n”.

Ronaldo u largua në verën e vitit 2018 për te Juventus-i dhe Benzema-s iu desh të ndryshonte rolin e tij në ekip.

“E vetmja gjë që do të thosha, është se largimi i Cristiano-s më lejoi të luaja një rol tjetër. Ai po shënonte 50-60 gola në vit dhe duhet të përshtatesh me lojën e tij. Ai është një nga më të mirët në botë”.

Marrëdhënia me Zidane

Benzema e pranon se ka marrëdhënie të mira me teknikun Zidane.

“Është një vëlla i madh për mua. Jashtë fushës ai është gjithmonë aty për të më këshilluar”.

Në një nivel më personal, Benzema tregon dhe për rëndësinë e miqësisë në jetën e tij, ku shprehet:

“Unë kam vetëm një mik, gjë që tregon se miqësia është shumë e rëndësishme për mua”.

Francezi, që ndonjëherë akuzohet si i ftohtë, thotë se “nuk është e vërtetë që asgjë nuk më prek. Unë kam ndjenja, por kurrë nuk do t’i tregojë dobësit e mia, edhe nëse i kam ato”.

Fillimet e vështira në Francë

Benzema u rrit në një lagje të varfër në Lion të Francës, diçka që ka ndikuar shumë tek ai deri më sot.

“Vij nga një lagje ku gjërat ishin të vështira. Kur shihja djem të veshur mirë dhe me makina të bukura, ajo që doja ishte të isha si ata”, thotë ai.

Ai vazhdon të shpjegojë se nuk ka idhuj:

“Unë nuk kam idhuj, por kam modele. Në futboll, unë do të thosha që Ronaldo, braziliani, ishte një model për mua. Unë gjithashtu e admiroj Mike Tyson-in, sepse edhe ai, edhe unë erdhëm nga fundi dhe u rritëm. Askush nuk na ka dhënë asgjë”.

Racizmi

Sulmuesi i Real-it gjithashtu flet për racizmin e pësuar nga disa lojtarë në fushë.

“Kjo nuk duhet të ndodhë kurrë. Është e neveritshme, e tmerrshme dhe e ndyrë. Ne jemi të gjithë njësoj”, përfundoi Benzema.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore