Lajme

BE-ja s’e komenton takimin Gjuriç-Radoiçiç: Qëndrimi për 24 shtatorin s’ndryshon, por akoma s’e kemi raportin final


Ilustrim

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian (BE), Peter Stano, ndonëse s’e komentoi fotografinë e publikuar në rrjetet sociale ku shihet ambasadori serb në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), Marko Gjuriç, duke darkuar me udhëheqësin e grupit paramilitar që kreu sulm terrorist në Kosovë, Millan Radoiçiç, shtoi se qëndrimi i BE-së për 24 shtatorin mbetet i pandryshuar.

Në një konferencë për shtyp të hënën, zëdhënësi i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri përsëriti se institucionet evropiane ende s’e kanë pranuar raportin përfundimtar të përgatitur nga autoritetet kosovare për sulmin terrorist të paramilitarëve serbë në Banjë të Zveçanit – komunë e banuar me shumicë serbe – në pjesën veriore të Kosovës shtatorin e vitit 2023.

“Nuk na takon neve që ta komentojmë çdo takim të pjesëtarëve të administratës serbe që zhvillojnë me njerëz të ndryshëm. Sa i përket Banjës: qëndrimi i BE-së mbetet i pandryshuar, ne jemi në pritje të një raporti përfundimtar zyrtar të hetimeve dhe pastaj do të shohim se si do ta trajtojmë përgjegjësinë. Për momentin nuk kemi parë një raport të tillë në Bruksel”.

Fotografia e Gjuriçit, i cili pritet të bëhet kryeministri i ardhshëm i Serbisë, në shoqërinë e kryekriminelit të kërkuar nga Agjencia Ndërkombëtare e Policisë Kriminale (INTERPOL), u publikua gjithandej rrjeteve sociale gjatë së dielës, duke shkaktuar reagime të forta në Kosovë dhe Serbi. Ende nuk është bërë e ditur se në çfarë periudhe është shkrepur fotografia në fjalë.

Ish-nënkryetari i Listës Serbe – forca më e madhe politike e serbëve të Kosovës – pranoi publikisht përgjegjësinë për organizimin dhe pjesëmarrjen në sulmin e 24 shtatorit. Megjithatë, ai dhe të tjerët që janë përgjegjës për terrorizmin e vitit të kaluar në territorin kosovar lëvizin lirshëm dhe nuk janë thirrur ende nga organet e drejtësisë në Serbi të japin përgjegjësi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore