Sport

Bayern-i dhe Chelsea kualifikohen në çerekfinalet e Ligës së Kampionëve


Mbrëmjën e së mërkurës janë mësuar edhe dy skuadrat e fundit që kompletojnë raundin e çerekfinaleve në Ligën e Kampionëve. Bayern Munich-u dhe Chelsea janë dy ekipet e fundit, pasi më herët u kualifikuan Real Madrid-i, Borussia Dortmund-it, PSG-ja, Manchester City, Porto dhe Liverpool-i.

Në Mynih, Bayern-i vendas bëri detyrën përballë italianëve të Lazio-s, duke fituar me rezultatin 2-1.  Bavarezët fituan edhe ndeshjen e parë në Romë, me rezultatin 1-4.

Ndeshja ishte totalisht nën kontrollin e bavarezëve, të cilët shënuan nga një gol për çdo pjesë.  Robert Lewandowski shënoi golin e parë të takimit, në minutën e 33, me anë të një penalltie.

Në pjesën e dytë ishte sulmuesi tjetër i Bayern-it, Eric Maxim Choupo-Moting-u që në të 71′ do të hynte si zëvendësues i Lewandowski-t dhe në të 73′ do të shënonte për 2-0.

Goli për lacialët erdhi në minutën e 82 të takimit, nga mesfushori Marco Parolo. Kështu merr fund edhe aventura e ekipit të vetëm italian të mbetur në Ligën e Kampionëve, pasi në këtë fazë u eleminuan edhe Juventus-i me Atalanta-n.

Në sfidën tjetër, Chelsea përsëri mundi Atletico Madrid-in e Diego Simeone-s.  Anglezët pasi fituan ndeshjen e parë në Madrid, me rezultatin 0-1, arritën të fitonin me rezultatin 2-0 në Londër. Një kualifikim mëse i merituar për blutë, që me Thomas Tuchel-in po tregojnë se dinë të fitojnë dhe të jene të qëndrueshëm në rezultate.

Edhe për Chelsea-n pati nga një gol për çdo pjesë. Në pjesën e parë shënoi Hakim Ziyech-u në të 34′. Në pjesën e dytë, në 90+4′, Emerson Palmeri, shënoi golin që vulosi takimin.

Me dy ekipet e kualifikuara, Bayern dhe Chelsea, përmbyllet edhe ky raund në Ligën e Kampionëve. Ditën e premte, më 19 mars, në oren 12:00 në Nion të Zvicrës hidhet shorti për çerekfinalet dhe gjysmëfinalet e Ligës së Kampionëve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore