Pajisje

Bavaria, në bisedime me Intel-in për çipat


Bavaria, shteti jugor i Gjermanisë, është në bisedime me kompaninë amerikane të çipave, Intel-in, për të ndërtuar një fabrikë evropiane të gjysmëpërçuesve.

Ministri lokal i ekonomisë, ka deklaruar se kjo lëvizje vjen si një përpjekje për t’iu kundërvënë mungesave të furnizimit që kanë penguar prodhimin në sektorin e automjeteve.

Agjencia e lajmeve, Reuters, tregon se në muajt e fundit, prodhuesi i çipave ka kërkuar 8 miliardë euro apo ndryshe 9.5 miliardë dollarë subvencione publike, për të ndërtuar një fabrikë për prodhimin e gjysmëpërçuesve në Evropë.

“Unë e mbështes fuqimisht këtë”, është shprehur ministri Hubert Aiwanger, shteti i të cilit është shtëpia e prodhuesit të makinave luksoze, BMW.

Ai ka vijuar duke thënë se “vendndodhja e mundshme e një prodhuesi të madh ndërkombëtar gjysmëpërçues në Bavari është një mundësi e jashtëzakonshme”.

Aiwanger ka treguar se sugjerimi i Bavarisë ishte një bazë ajrore e papërdorur në Penzing-Landsberg, në perëndim të Mynihut, si një vend i mundshëm për fabrikën.

Reuters shkruan se në Evropë mungesa e gjysmëpërçuesve shkaktoi shumë pengesa për prodhuesit e makinave dhe gjithashtu kërcënoi përmbysjen e rimëkëmbjes ekonomike të Gjermanisë nga pandemia e koronavirusit.

Nga ana tjetër, Bashkimi Evropian po konsideron krijimin e një aleance gjysmëpërçuese duke përfshirë STMicroelectronics, NXP, Infineon dhe ASML. Kjopër të ulur varësinë nga prodhuesit e huaj të çipave gjatë një krize globale të zinxhirit të furnizimit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore