Përballje

Barazim dramatik mes Juventus-it dhe Salernitana-s


Juventus-i nuk ka shkuar përtej një barazimi me rezultat 2:2 në shtëpi ndaj Salernitana-s në ndeshjen e vlefshme të javës së gjashtë në Serie A.

Fundi i këtij takimi ishte dramatik, ku bardhezinjtë fillimisht barazuan rezultatin, pastaj pak sekonda më vonë edhe shënuan golin e fitores, por ai u anulua nga sistemi VAR për pozicion jashtë loje.

Sfida u zhbllokua në minutën e 18-të, kur Antonio Candreva befasoi vendasit.

Në fund të pjesës së parë, Salernitana dyfishoi epërsinë, kur Krzysztof Piatek u tregua i saktë nga penalltia.

Juve arriti ta ngushtojë rezultatin që në fillim të pjesës së dytë me mbrojtësin Bremer, i cili shënoi një gol të bukur.

Por, pavarësisht tentativave të shumta, gola më nuk pati deri në minutat shtesë.

Në minutën 90+3 Leonardo Bonucci fillimisht humbi penalltinë, pastaj topin e kthyer e shtyu në gol për ta barazuar rezultatin.

Menjëherë në aksionin pasardhës, u bë një goditje nga këndi për Juve-n, ku në atë rast shënoi Arkadiusz Milik, por pas rishikimit të aksionit me sistemin VAR, goli u anulua për shkak të pozicionit jashtë loje.

Vendimi i gjyqtarëve solli momente tensioni te skuadra e Juventus-it, ku më pas u ndëshkuan me kartonë të kuq Milik, trajneri Allegri dhe Juan Cuadrado.

Pas javës së gjashtë, bardhezinjtë ndodhen në pozitën e tetë në tabelë me 10 pikë të grumbulluara.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore