Shqipëria

Balluku zbulon parametrin “jashtë pritshmërive” në tunelin e Llogarasë


Ministrja shqiptare për Infrastrukturën dhe Energjinë, Belinda Balluku, zbuloi gjatë inspektimeve të punimeve në tunelin e Llogarasë një parametër i cili ka dalë jashtë pritshmërive.

“I vetmi parametër i cili nuk na ka dalë ashtu siç e prisnim janë rezervat ujore”, u shpreh fillimisht zëvendës kryeministrja.

Sipas saj, autoritetet kanë qenë të përgatitura dhe në studim së bashku me një kompani austriake, e cila mendonte që mund të kishte rezerva ujore duke studiuar zonën përreth.

“Praktikisht nuk kemi hasur asnjë burim ujor të qëndrueshëm madje edhe përsa i përket kompanive të cilat punojnë për ngritjen e tunelit duhet që ta sjellin ujin me bote pasi mali është totalisht i thatë”, shtoi zyrtarja shqiptare.

Balluku sqaroi se nga plani paraprak që do të ishte për të gjetur burime të brendshme për të furnizuar pjesën e bregdetit nuk ka rezultuar dhe në atë 1 kilometër që ka ngelur nuk presin që të hasin basene nëntokësore ujore.

“Zgjidhja që i kemi dhënë është që i gjithë tuneli do të shoqërohet me tubat e transportimit të ujit dhe energjisë elektrike. I gjithë tuneli do të pajiset me këto elemente të ndihmës mekanike dhe do të përdorim burimet e Dukatit për të sjellë ujin në zonën e Rivierës”, vërejti ministrja.

Kujtojmë që nga punimet në tunel, kanë mbetur edhe 1.5 kilometër gërmim për të parë dritë dhe për të filluar më pas betonizimin.

Projekti i Tunelit të Llogarasë

Ky tunel do të ketë gjatësi prej 5.9 kilometrash dhe do ta shkurtojë kohën e udhëtimin nga 55 minuta në 10, e cila lidh mes përmes gjithë Qafën e Llogarasë.

Ai nis nga ura e Shën Elizës në zonën e Dukatit deri në urën e Palasës.

Një konsorcium turk, i përbërë nga dy kompani, Intekar Yapi dhe ASL, kanë fituar të drejtën e ndërtimit të tunelit, me vlerë 17 miliardë lekë (138.9 milionë euro).

Ky do të jetë edhe projekti i parë, që konsorciumi ka marrë përsipër të ndërtojë në Shqipëri.

Sfida ndërkaq, nuk është e thjeshtë, me një vepër madhore në infrastrukturë, e cila pritet të ketë afat 36-mujor për përfundimin e punimeve.

Sipas të dhënave publike të Intekar Yapi dhe ASL, konsorciumi privat ka 600 persona të punësuar.

Shoqëria, me përgjegjësi të kufizuar, është themeluar në vitin 1989.

Ajo vepron ekskluzivisht në fushën e infrastrukturës.

Ndër më kryesoret, janë ndërtimi i rrugëve, punimet tokësore, struktura inxhinierie, si ura, tunele e diga dhe rrjete të kanalizimeve ujore.

Pavarësisht faktit se kjo do të jetë vepra e parë që shoqëria do të ndërtojë në Shqipëri, ajo është e njohur për vepra madhore në Turqi, në kryeqytetin Ankara dhe në qytete të tjera si Izmiri apo Stambolli.

Me projektin tërësisht në vijë, e vetmja gjë që pritet tashmë është mbarimi i punimeve në vitin 2024.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore