Shqipëria

MIE rihap garën për ndërtimin e tunelit të Llogarasë


Ministria e Infrastrukturës dhe e Energjisë (MIE) ka njoftuar të enjten e 24 qershorit se është rihapur gara për zgjedhjen e kompanisë së ndërtimit të tunelit të Llogarasë.

Kjo garë, sipas publikimit të të dhënave në Agjencisë së Prokurorimit Publik, do të qëndrojë e hapur deri më 28 korrik.

Tuneli i Llogarasë pritet të jetë i gjatë 5.9 kilometra dhe do të lidhet në hyrje dhe dalje të tij me dy ura, nga 110 dhe 40 metra të gjatë.

Sipas njoftimit, tuneli programohet të përfundojë pas tre vjetësh e një muaji.

MIE-ja e anuloi tenderin e parë, duke përjashtuar gjashtë kompanitë që morën pjesë për mungesë të plotësimit të dokumentacionit.

Ajo parashikonte dorëzimin e ofertave për ndërtimin e tunelit të Llogarasë deri në datën 12 shkurt, po më pas e ka shtyrë këtë afat më 23 shkurt 2021.

Në dhjetor të 2020-ës, MIE-ja hapi garën për kontratën që ka për objekt “Ndërtimin e Tunelit të Llogarasë” në seksionin rrugor Orikum-Himarë pjesë e Autostradës SH8 (Vlorë – Sarandë)”, e cila u hap me një fond limit prej 19.1 miliardë lekësh apo rreth 155 milionë euro.

Në dokumente është specifikuar se operatori, që do të rezultojë fitues në fund të garës, do të ketë në dispozicion 37 muaj.

Pra, më shumë se tre vjet për të bërë zbatimin e kontratës, ndërsa burimi i financimit do të jetë buxheti i shtetit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore