Shqipëria

Cila është dyshja turke që do të ndërtojë tunelin e Llogarasë?


“Tuneli i Llogarasë do të jetë një realitet brenda mandatit të tretë qeverisës”.

Këtë do ta pohonte vetë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, një javë më parë në një dalje publike, ku do të bënte me dije edhe se ishte shpallur kompania fituese për zhvillimin e punimeve të tunelit të Llogarasë, i cili pritet të shkurtojë distancën midis Orikumit dhe Palasës, nga 55 minuta, që është aktualisht, në vetëm 10 minuta.

Një konsorcium turk, i përbërë nga dy kompani, Intekar Yapi dhe ASL, kanë fituar të drejtën e ndërtimit të tunelit, me vlerë 17 miliardë lekë (138.9 milionë euro).

Ky do të jetë edhe projekti i parë, që ky konsorcium ka marrë përsipër të ndërtojë në Shqipëri. Sfida ndërkaq, nuk është e thjeshtë, me një vepër madhore në infrastrukturë, e cila pritet të ketë afat 36-mujor për përfundimin e punimeve.

Tuneli do të jetë i gjatë gjashtë kilometra, për të lidhur mespërmes gjithë Qafën e Llogarasë.

Skema e lidhjes së Orikumit dhe Palasës nëpërmjet tunelit të Llogarasë

Sipas të dhënave publike të Intekar Yapi dhe ASL, konsorciumi privat ka 600 persona të punësuar. Shoqëria, me përgjegjësi të kufizuar, është themeluar në vitin 1989.

Ajo vepron ekskluzivisht në fushën e infrastrukturës.

Ndër më kryesoret, janë ndërtimi i rrugëve, punimet tokësore, struktura inxhinierie, si ura, tunele e diga dhe rrjete të kanalizimeve ujore.

Pavarësisht faktit se kjo do të jetë vepra e parë që shoqëria do të ndërtojë në Shqipëri, ajo është e njohur për vepra madhore në Turqi, në kryeqytetin Ankara dhe në qytete të tjera si Izmiri apo Stambolli.

Me projektin tërësisht në vijë, e vetmja gjë që pritet tashmë është fillimi i punimeve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore