Shqipëria

Balluku: Kukësi gati, ai i Vlorës do të jetë aeroporti më i madh në Shqipëri


Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ka qenë në aeroportin e Kukësit, ku po kryhen punimet e detajeve të fundit për inaugurimin e tij.

“Pak orë na ndajnë nga aeroporti i Kukësit”, theksoi ministrja. “Kjo do të jetë faqja e parë e një epoke të re në aviacionin civil shqiptar”.

Ky aeroport, sipas saj, do të ofrojë shërbime cilësore në kategorinë “low cost”, atë të çmimeve të ulëta të fluturimeve.

“Është i destinuar për të qenë i tillë. Është aeroport rajonal, por i gjithë Shqipërisë. Mund të shërbejë edhe për shqiptarët e Kosovës, apo ata të Maqedonisë së Veriut”.

Të punësuarit në aeroport do të jenë kryesisht ata të zonës. Por, pritet të vijnë edhe specialistë të tjerë nga aviacioni civil.

Sipas ministres, zhvillimi i këtij projekti do të ketë një ndikim të madh në ekonomi.

“Impakti financiar do të jetë i madh. Punësimet dhe injektimet indirekte në ekonomi, për shkak të udhëtarëve dhe turistëve, do të jenë të mëdha”.

Vëmendja e qeverisë pas uljes së parë, do të shkojë ndërkaq në aeroportin e Vlorës. Ministrja e cilësoi projektin jugor si “aeroportin më të madh në Shqipëri”.

Kryeministri Edi Rama do të jetë i pranishëm në inaugurimin e aeroportit të Kukësit, ku ulja e parë do të vijë nga Londra.

Destinacionet kryesore nga pista e Kukësit do të jenë disa qytete të Zvicrës, Gjermanisë dhe Italisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore