Lajme

“Bajramin e ardhshëm, të lirë” – festa në kohë lufte


Shënimi simbolik i festës së Bajramit nga ushtarët e UÇK-së

Gjatë viteve 1998-1999 kur në Kosovë po zhvillohej lufta, festat si kjo e Kurban Bajramit më shumë kishin dimension simbolik.

Ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për dy vjet thuajse të gjitha festat i kanë gjetur në llogoret e frontit.

22 vjet prapa, mjekja e UÇK-së në Zonën e Operative të Dukagjinit – tani deputete e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës – Time Kadrijaj, ka treguar se si janë festuar ditët e Bajramit gjatë luftës.

Ajo kujton se këto festa kalonin si të gjithë ditët e zakonshme.

“Në UÇK ne e kemi ditur që është Bajrami, kemi uruar këtë festë njëri-tjetrit, ka qenë një ditë krejt e zakonshme”.

Kadrijaj, duke u referuar luftës së fundit në Kosovë ka thënë se nuk ka pasur asnjë organizim gjatë ditëve të Bajramit për arsye se mungonin kushtet shtëpiake.

“Realisht nuk kemi pasur kohë për organizimin e ndonjë feste, njëjtë ka ndodhur edhe me festat e tjera, si për shembull festën e 28 nëntorit jemi munduar ta përkujtojmë me ndonjë këngë. Në kushte lufte nuk ka pasur festa siç janë tani”.

Ajo ka treguar edhe çka kanë uruar pjesëtarët e UÇK-së, gjatë festës së Bajramit.

“Urimet kanë qenë më ndryshe në krahasim me ditët e sotshme, ku tash ne urojmë për një shëndet të mirë dhe për begati atëherë kemi uruar që në Bajramin e ardhshëm të jemi të lirë”, është shprehur ajo.

Traditë për festën e Bajramit, janë edhe vizitat te familjarët e miqtë. Në luftë – kuptueshëm – edhe kjo ishte e pamundur.

“Për shkak që mundësitë e komunikimit kanë qenë të kufizuara, nuk kemi pasur mundësi që në ditën e Bajramit të kontaktojmë familjarët tanë. Atëbotë i gjithë shtabi ka pasur vetëm një telefon i cili është përdorur vetëm për komunikim ushtarak”.

Sikur të gjitha festat e tjera edhe Bajrami është festuar në UÇK, jo në atë aspekt që mund të ndikonte në gatishmërinë luftarake të njësiteve të zonave, por është festuar në mënyrë modeste në bazë të kushteve që kanë ekzistuar atëherë, ka thënë për Albanian Post ish-shefi i Shtabit të Zonës Operative të Llapit, Nuredin Ibishi.

“Festa e Bajramit është festuar në mënyrë simbolike duke ngrënë ndonjë ëmbëlsirë apo ndonjë ushqime tradicional që janë sjellur nga qytetarët e zonës ku ne kemi operuar”, ka thënë ai.

Edhe Rafet Llapashtica, ish-komandantë i njësisë “Ulpiana 28”, ka rrëfyere për Albanian Post, ditën e festës së Bajramit në kohë lufte, duke i kujtuar ato ditë si periudha të pakëndshme.

“Kanë qenë periudha të pakëndshme. Të dy festat e Bajramit i kemi pritur në ambiente të pa volitshme. Ka pasur vetëm urime në mes të bashkëluftëtarëve”.

Llapashtica, ka treguar gjithashtu që për Bajram qytetarët kanë sjellë zakonisht ëmbëlsira tradicionale.

Ai ka treguar që ata nuk kanë pasur kohë për të përgatitur ndonjë ushqim më special për ditën e Bajramit, pasi që rrethanat e luftës e kanë pamundësuar këtë gjë.

“Kemi ngrënë ndonjë gjë por, jo edhe bashkërisht pasi që ka pasur ushtarë që ishin në vijën e frontit për arsye se ushtarët serb e kanë ditur që është ditë e Bajramit dhe kanë dashur ta shfrytëzojnë këtë ditë duke menduar se ne jemi duke festuar dhe jemi të dekoncentruar”.

Komandanti, Llapashtica është rrëfyer edhe për mungesën e komunikimit me familjarët gjatë ditës së Bajramit.

“Në krahasim me kohët e tashme, ato periudha të festës së Bajramit ishin kohë të pa natyrshme, për arsye se nuk i kemi pasur prezent familjarët, nuk ka pasur as mjete komunikimi për t’i kontaktuar ata”, është shprehur ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore