Lajme

Bajrami situatën me librat e quan “kaos me kosto të lart” dhe “dështim”


Hykmete Bajrami.

Deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, e ka quajtur “dështim” dhe “shkelëse të Kushtetutës” ministren e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arbërie Nagavcin, pasi sipas saj informimi i saj për listën e blerjes së librave ka qenë i vonshëm.

Bajrami, përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’ ka kërkuar sqarim nga Nagavci se çfarë duhet të bëjnë prindërit të cilët kanë blerë librat,

“Shkelësja e kushtetutës Nagavci, tek sot ju paska bë thirrje prindërve “mos me i ble librat, pa e marrë listën nga mësuesit, e çka me ata që tashmë i kanë ble, t’i kthejnë apo?”.

“Ai prindi nga Kaçaniku që dje e ka lënë punën ka shkuar në Ferizaj me i ble librat, tash duhet me marrë edhe një ditë tjetër pushim me shku me i ndërru librat?!”, ka shkruar ajo.

Ajo tutje ka pyetur se “kush i garanton atë dhe të tjerët që do t’i gjejnë librat që i rekomandojnë mësuesit”.

Bajrami është shprehur se situata aktuale s’mund të jetë gjë tjetër përveç se “kaos”.


“Kësaj i thonë kaos me kosto të lartë. Njëherit thirrja e Nagavcit për prindërit është thirrje e tërthortë për shtëpitë botuese “mos botoni libra se kërkesa për ato varet nga mësuesit’”,

“Çfarë dështimi!”.

Ndërsa, ka theksuar se problemet si parti i kishin paralajmëruar më herët.

“Ju kemi tregu që do të ketë shumë probleme këtë vit . Është mëkat i madh që dështimin e ministrisë dhe qeverisë kaq drejtpërdrejtë e kaq shtrenjtë po e paguajmë nxënësit, prindërit e tyre dhe mësimdhënësit”.

Zëvendësministri i Arsimit, Taulant Kelmendi, ka thënë të hënën se për subvencionimin e teksteve shkollore në platformën e-Kosova janë pranuar mbi 51 mijë aplikime.

Aplikimi po bëhet përmes platformës e-Kosova, mirëpo në ditën kur u lansua kjo platformë, për disa orë ishte e bllokuar, me të njejtën ka pasur probleme vazhdimisht.

Ministrja Nagavci, dështimin për t’i furnizuar nxënësit me tekste shkollore, kur kanë mbetur më pak se 10 ditë deri në nisjen e vitit të ri shkollor, vazhdimisht është munduar ta arsyetojë me premisën se shtëpitë botuese kanë ofertuar çmime të larta për blerjen e librave të filloristëve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore