Kosova

Bajrami, Qeverisë: Përmirësimi i deficitit buxhetor nuk shpreh asgjë tjetër përveç mospunën


Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka reaguar ndaj performancës së dobët në investimet kapitale.

Përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, Bajrami ka bërë krahasimin e buxhetit të ndarë për investime kapitale dhe atë që është dashur të shpenzohet.

“Në vitin e kaluar nga 704 milionë euro të parapara për investime kapitale janë shpezuar vetëm 419 milionë euro, por duhet dhënë disa sqarime sa i përket kësaj: Në 419 milionë euro janë përfshirë edhe 88 milionë euro të paguara avans, duke marrë parasysh se investimet kapitale paguhen në situacione kjo edhe mund të jetë joligjore”, ka shkruar Bajrami.

Ajo tutje ka theksuar se performancë të dobët për investime kapitale kanë pasur edhe komunat, por jo me fajin e tyre.

“Gjithashtu duhet të përmendet se përformancë të dobët në investime kapitale gjatë vitit të kaluar kanë pasur edhe komunat por kjo aspak për fajin e tyre, për vitin 2022 kjo përgjegjësi në nënshpezim i takon ekskluzivisht nivelit qendror, sepse bllokoj Organin Shqyrtues të Prokurimit për gati një vit dhe nuk mori asnjë masë për adresimin e çështjes së inflacionit për kontratat publike deri në fund të vitit 2022”.

Investimet kapitale.

Sipas saj, përmirësimi i deficitit buxhetor në këtë formë tregon vetëm për mosangazhimin e Qeverisë.

“Pra 285 milionë euro që ishin paraparë për investime kapitale nuk u shpenzuan në vitin 2022, kështu Qeveria e përmirësoj deficitin buxhetor, gjë për të cilën  Qeveria po krenohet, por përmirësimi i deficitit buxhetor në këtë mënyrë nuk shprehë asgjë tjetër pos mospunën e Qeverisë në terma monetar”.

Instituti GAP, i cili avokon për një qeverisje më të mirë në Kosovë, duke monitoruar punën e institucioneve publike dhe duke rekomanduar zgjedhje konkrete mbi politikat publike, përmes një grafikoni të publikuar në faqen e tyre zyrtare në rrjetin social Facebook, ka paraqitur realizimin e investimeve kapitale nga ministritë në vitin 2022.

Hulumtimi i Institutit GAP ka konstatuar se Ministria e Financave, i cili drejtohet nga ministri Hekuran Murati, gjatë vitit 2022 ka realizuar vetëm 2 për qind të investimeve kapitale.

Përqindje teje të ulët të investimeve kapitale kanë realizuar edhe Ministria e Industrisë dhe ajo e Ekonomisë.

Ministria e Industrisë ka realizuar vetëm 16 për qind të investimeve kapitale ndërsa ajo e Ekonomisë 38 për qind.

Ministria më e suksesshme, sipas hulumtimit të këtij instituti, del të jetë ajo për Komunitete dhe Kthim, e cila deri në nëntor të vitit të kaluar drejtohej nga kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiç.

Pas dorëheqjes kolektive të serbëve si nga institucionet qendrore ashtu edhe ato komunale, në krye të kësaj ministrie u emërua, Nenad Rashiç.

Ky ministri ka realizuar 98 për qind të investimeve kapitale gjatë vitit 2022.

Hulumtimi i Institutit të GAP e rëndit, si të suksesshme për sa i përket investimeve kapitale, edhe Ministrinë e Mbrojtjes, atë të Drejtësisë, Zhvillimit Rajonal, dhe atë të Bujqësisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore