Lajme

Bajrami: Qeveria s’ka ndarë asnjë cent për familjet e dëmtuara nga vërshimet


Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami.

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka akuzuar Qeverinë e Kosovës se për vërshimet që kanë ndodhur në janar të këtij viti në Skenderaj, Istog dhe Mitrovicë nuk ka ndarë asnjë cent.

Bajrami, përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’ ka thënë se ekzekutivi duhet të japë një arsyetim se përse sillet kështu me qytetarë.

“Qeveria e Kosovës edhe sot e kësaj dite nuk ka ndarë asnjë cent për familjet e dëmtuara nga vërshimet, në fillim të këtij viti, në Skenderaj, Istog dhe Mitrovicë”.

“A din qeveria e rekordeve të të hyrave buxhetore me na tregu pse? Pse sillet kështu me qytetarët e saj?”, ka shkruar ajo.

Teksa, ka thënë se ekzekutivi ka harruar atë se çfarë ka ndodhur në disa komuna.

“Qeveria edhe mund të harroj se çka ndodhi në disa komuna në Kosovë në fillim të këtij viti, por ata që janë prekë drejtpërdrejtë, atyre që uji e balta u pat marrë shtëpitë e bizneset nuk harrojnë kurrë”, ka thënë Bajrami.

Në janar, reshjet e shiut që kishin nisur patën shkaktuar vërshime në disa qytete të Kosovës, duke bërë që shumë shtëpi, rrugë e toka të përmbyten.

Gjendja më e rëndë ishte vlerësuar të jetë krijuar në Komunën e Skenderajt dhe në Komunën e Mitrovicës.

Ndryshe, edhe partitë opozitare kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të formohet Fondi Emergjent, duke pasur parasysh reshjet të cilat janë duke vazhduar aktualisht dhe ditët në vijim, mund të shkaktojnë probleme dhe vështirësi edhe në pjesët tjera të vendit.

Akomodimi dhe furnizimi me ushqim ishin dy kërkesat kryesore të qytetarëve të Mitrovicës dhe Skenderajt, pas vërshimeve si pasojë e reshjeve të dendura të shiut.

Shirat e furishëm shkaktojnë shpesh vërshime në Kosovë.

Gjatë viteve të kaluara vazhdimisht është raportuar për dëme në shtëpi, biznese, kultura bujqësore dhe rrugë.

“Një natë e tmerrshme”, me “dëme milionëshe” – Hamza e Nura flasin për natën e vërshimeve në Mitrovicë e Skenderaj

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore