Gjykata Speciale

Bahtijarit i vazhdohet paraburgimi


Ismet Bahtijari.

Zëdhënësi i Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, Michael Doyle, ka bërë të ditur se gjyqtari i procedurës paraprake ka marrë vendim për vazhdimin e paraburgimit të Ismet Bahtijarit.

Vendimin e ka kumtuar Doyle, përmes informimit javor ku ka thënë se vendimi është marrë pasi ekziston rreziku që i akuzuari të arratiset.

“Në çështjen gjyqësore Sabit Januzi dhe Ismet Bahtjari, më 29 janar, Gjykatësi i Procedurës Paraprake urdhëroi vazhdimin e paraburgimit të Ismet Bahtjarit. Gjykatësi konstatoi se ekziston rrezik i moderuar që i akuzuari të arratiset, si dhe arsye të artikulueshme për të besuar se z. Bahtjari mund të pengojë ecurinë e procesit gjyqësor ose të kryejë krime të tjera”, tha Doyle.

Sa i përket seancave që janë mbajtur këtë javë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, ai theksoi se nga dëshmitaret u pretendua për vrasjet që janë bërë nga anëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Në gjykimin Hashim Thaçi dhe të bashkakuzuarit, këtë javë kanë dëshmuar tre dëshmitarë me masa mbrojtëse. Sipas Prokurorisë, dëshmitari i 42-të, i cili filloi dhënien e dëshmisë të hënën, u rrëmbye dhe u ndalua nga anëtarë të UÇK-së në zonën e Prizrenit në qershor 1999″.

“Dhënia e dëshmisë nga dëshmitari i 43-të i Prokurorisë filloi gjithashtu të hënën. Kjo dëshmi thuhet se lidhet me vrasjen e një viktime pasi u arrestua dhe ndalua nga anëtarë të UÇK-së në zonën e Llapit”, deklaroi Doyle.

Sipas përfaqësuesve të ZPS-së, dëshmitari i 44-të ka dëshmuar lidhur me vizitat e tij të shumta në shtabet e UÇK-së.

Ndërsa, në çështjen ndaj Salih Mustafës, u tha se administratorja ka vendosur Laurens van Puyenbroeck si avokat kujdestar të tij.

“Në çështjen gjyqësore Salih Mustafa, më 26 janar Administratorja caktoi z. Laurens van Pajenbruk (Laurens van Puyenbroeck) si mbrojtës kujdestar të z. Mustafa”.

Seancat e kësaj jave në Gjykatën Speciale, kanë qenë të gjitha të mbyllura për publikun.

Më 12 janar, Prokuroria e Specializuar ka dorëzuar aktakuzën e përbashkët në rastin ndaj Sabit Januzit, Ismet Bahtijarit dhe Haxhi Shalës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore