Lajme

Avokati i Popullit refuzon kërkesën e familjes Pajazitaj për ta përcjellë rastin në Kushtetuese – familja kërkon llogari nga prokurorja e rastit


Avokati i Popullit, e ka refuzuar kërkesën e familjes së Donjeta Pajazitajt që vendimin e Gjykatës Supreme ndaj Naser Pajazitajt t’a dërgojë në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.

Njoftimin për “papranueshmëri”, familja e kishte pranuar më 23 maj, në të cilin thuhet se Institucioni i Avokatit të Popullit “ka hedhur poshtë ankesën tuaj lidhur me pohimet për shkelje të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut apo keqpërdorim nga autoritetet publike”.

Kjo, “meqenëse nga dëshmitë e paraqitura dhe rrethanat e përshkruara në ankesë, rezulton se lënda e ankesës nuk përkon me kompetencat ligjore, sipas Ligjit për Avokatin e Popullit”.

Pas kësaj, familja e Donjetës shprehen të shqetësuar dhe shumë të zhgënjyer me trajtimin e rastit të vajzës së tyre nga sistemi i drejtësisë në Kosovë.

Vëllai i Donjetës, Shkëlqimi, akuzon prokuroren e rastit, Vaklbona Dishaj Haxhosaj që dështoi të hetoj drejtë rastin, pasi që Gjykata Supreme e Kosovës e nxori të pafajshëm të akuzuarin e vetëm për vrasjen e Dionjetës, Naser Pajazitajn.

“Pse dështoi kjo aktakuzë prokurore Valbona Haxhosaj, dhe a përfundoi gjithçka në lidhje me vrasjen e Donjetes?”, ka pyetur publikisht prokuroren Shkëlqimi, nga llogaria e tij në Facebook.

“Kush dhe përse e vranë Donjetën? Kush je ti, për çfarë dhe pse punon?”, pyet më tej ai.

“Ti a nuk je një prokurore që duhet ta zbulosh krimin dhe ta dënosh atë?” vazhdon me pyetjet vëllai i Donjeta Pajazitajt, rasti i të cilës është një nga rastet më makabër i ndodhur në Kosovën e pasluftës, kur një vajzë e re u gjet e vdekur në mal në vitin 2015 pas më shumë se 1 muaj që rezultonte e zhdukur.

Prokuroria Themelore në Pejë e kishte gjetur fajtor Naser Pajazitajn, të cilin më pas edhe e kishin dënuar dy shkallët e gjykatave, Themelorja dhe ajo e Apelit, por që gjykata e shkallës së tretë, Gjykata Supreme në fillim të prillit të këtij viti e shpalli të pafajshëm për vrasjen e Donjetës, pasi që nuk kishte prova se ai ishte dorasi.

Tani që nuk dihet se kush e vrau Donjeta Pajazitajn, familja me ngulm kërkon që rasti të marrë epilog të ri.

“Atëherë përse vrasësi i saj është në liri dhe çfarë punove ti që nga 2015-ta, dhe çfarë po i shërben ti këtij shteti si prokurore apo vetëm që ta dëmtosh buxhetin e ti”, kërkon llogari vëllai i Donjeta Pajazitajt.

Më 5 maju të këtij viti, Prokuroria Themelore në Pejë, kishte deklaruar për Albanian Post se kanë rinisur hetime të reja për këtë rast, por që tani nuk është koha që ato të ndahen me publikun.

“Sigurisht që hetimet do të vazhdojnë dhe prokurorja e çështjes nuk do të ndalet së hetuari rastin. Për pista të reja hetimi ato për momentin nuk do të jenë publike për opinionin publik”, kishte thënë Nikçi përmes postës elektronike.

Nëse Naseri jo, kush e vrau Donjetën?

“Ne kemi besuar që Naseri e ka vra, kemi qenë të bindur, sepse ka pas prova që ai e ka marrë Donjetën në veturën e tij, janë pamjet e kamerave”.

“Edhe pse ai është munduar ta mohojë këtë fakt, duke thënë se ka qenë vajza e tij. Kur policia e kishte pyetur vajzën, ajo ka thënë që nuk ka qenë me babain e tij në veturë dhe e mbaj mend që në polici kishte deklaruar, duke i thënë babait ‘mos më përfshi në këto punët tua’”.

“Prandaj kemi besuar që ai e ka vrarë, edhe pse asnjëherë nuk ka bashkëpunuar me policinë që të tregojë se ku e ka lënë armën. Ne e dimë, ai ka pas një armë, kanë qenë disa video ai duke shtënë me armë në një dasmë. Por kur prokuroria ja ka kërkuar, ai ka deklaruar se nuk e ka armën. As policia nuk ja kishte gjetur kur ja bastisën shtëpinë, atëherë kur nisën hetimet”.

Kështu, tregon Shkëlqimi, nuk u vërtetua kurrë, se a ishte arma e Naser Pajazitajt ajo që e goditi me një plumb në kokë Donjetën.

Gjatë gjithë procesi gjyqësor, Naser Pajazitaj ishte mbrojtur në heshtje. Në të rralla seanca ai kishte deklaruar se “unë nuk e kam vra”, por kjo nuk e bindi askë, as prokurorinë, as gjykatat madje as familjen e Donjetës.

“Nëse Naseri nuk e ka vra, atëherë ai e di sigurt se kush e bëri”, shprehet Shkëlqimi, “nëse është kaq i pafajshëm, pse nuk ka treguar se ku e ka çuar Donjetën kur e pati në veturë atë ditë që u zhduk”.

“Të tregojë që e mora këtu dhe e lash atje, për tu shfajësuar nga vrasja, por ai asnjëherë nuk tha asgjë, nuk foli kurrë. Heshti, por tani më shumë se kurrë ne po dyshojmë që ai e di se kush e ka vra”.

“Ne jemi të bindur që bashkë me të ka qenë edhe dikush tjetër, bashkë me Naserin, por ai duhet të tregoj se kush ishte?”.

Për më tepër, Shkëlqimi kujton një detaj, nga fillimi i seancave gjyqësore.

“Djali i kryeplaku të fshatit, Haki Pajazitajt, i ka thanë Naser Pajazitajt që nga aty ku ka qenë t’u pritë Donjeta autobusin për të shkuar në punë, te druri, ti je ai që je qu fill pas saj. Si e ke pa që është aty, mas 2-3 minutave, ti e ke marr xhipin edhe ke shku pas saj. Ti je ai që duhesh me ditë çka ka ndodhë me të”.

Por, kujton Shkëlqimi, Naseri nuk është përgjigjur dhe nuk ka thënë asgjë.

Haki Pajazitaj, Kryeplaku i fshait Strellc, aty ku u lind e u rrit Donjeta Pajazitaj, ishte përfshirë në këtë rast të vrasjes, përmes inskenimit të disa letrave për të cilat kishte deklaruar se “dikush ia kishte lënë në veturë dhe ishin pa adresë”, por që më vonë hetimet e policisë dhe prokurorisë në Pejë kishin konstatuar se ato i kishte shkruar vetë Hakiu, për çka më pas ishte akuzuar e dënuar për deklaratë të rrejshme.

Në ato letra të cilat përmes kamerave në Postë Hakiu ishte parë duke i blerë vetë pullat postare, shkruante se dorasi i Donjeta Pajazitajt ishte një vrasës me pagesë, të cilin e kishte urdhëruar djali i vëllait të Naser Pajazitajt, pasi që ai kishe pasur një aferë me Donjetën dhe ajo kishte mbetur shtatzënë.

Në mënyrë që bashkëshortja e djalit të vëllait të Naser Pajazitajt të mos kuptonte asgjë për këtë fëmijë në ardhje, jashtëmartesorë, ai e kishte urdhëruar vrasjen e Donjetës.

Letrat “anonime”, ishte konstatuar se i kishte shkruar vetë Hakiu, por përveç që u dënua për deklaratë të rrejshme, ai asnjëherë nuk u trajtua seriozisht nga prokuroria Themelore në Pejë për ato që mund të dinte.

Por, kjo nuk do të thotë se ai nuk do të jetë pjesë e hetimeve të reja që prokuroria në Pejë ka nisur t’i bëj sërish, për të gjetur se kush e vrau Donjeta Pajazitajn.

Prokuroria në Pejë rihapë sagën për të gjetur vrasësin e Donjeta Pajazitajt

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore