Shkalla e tretë e sistemit gjyqësor të Kosovës, Naser Pajazitajn e nxori të pafajshëm për vrasjen e kushërirës së tij të largët, Donjeta Pajazitaj, nga akuza për vrasje.
Për më shumë se tetë vjet familja e Donjetës besoi se dorasi i bijës së tyre ishte Naseri, por Gjykata Supreme i rrëzoi të gjitha pretendimet e Prokurorisë Themelore të Pejës, me arsyetimin se dy gjykatat paraprake, Themelorja dhe ajo e Apelit nuk kishin arritur të vërtetonin, edhe pse kishin nxjerrë aktvendime dënuese, se kishte prova se i akuzuari Naser Pajazitaj e vrau Donjetën.
Prokuroria Themelore në Pejë ri-nis hetimet për vrasjen e Donjeta Pajazitajt
Ani pse për herë të parë pretendimet e saj u rrëzuan, Prokuroria Themelore në Pejë nuk e ka ndërmend të ndalet deri sa të gjejë dorasin e vërtetë.
Shodran Nikçi, zëdhënës i kësaj prokurorie, ka thënë për Albanian Post se hetime të reja po bëhen, por tani nuk është koha që ato të shpalosen për publikun.
“Sigurisht që hetimet do të vazhdojnë dhe prokurorja e çështjes nuk do të ndalet së hetuari rastin. Për pista të reja hetimi ato për momentin nuk do të jenë publike për opinionin publik”, ka thënë Nikçi përmes postës elektronike.
Megjithatë, prokuroria po pret që aktvendimi i lirimit nga akuza e Naser Pajazitajt, nga Gjykata Supreme t’u shkojë zyrtarisht.
“Prokurorja e çështjes ende nuk e ka pranuar vendimin e Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës”, ka thënë Nikci për Albanian Post.
Aktakuza se Naser Pajazitaj e vrau Donjetën, do të shqyrtohet edhe nga Gjykata Kushtetuese
Shkëlqim Pajazitaj, zëri i Donjetës që pareshtur po kërkon të dihet se kush i vrau motrën ka thënë për Albanian Post se do të shfrytëzojnë afatin ligjor që vendimin e Gjykatës Supreme ta dërgojnë në Kushtetuese.
“Kemi biseduar edhe me prokuroren e rastit Valbona Dishaj Haxhosaj dhe pasi ta pranojmë zyrtarisht vendimin e Gjykatës Supreme do të shkojmë te Avokati i Popullit, që ai më pas ta përcjellë rastin në Gjykatën Kushtetuese”.
“Ne nuk do të ndalemi, do ta përcjellim rastin deri në fund”, ka thënë vëllai i Donjetës.
Nëse Naseri jo, kush e vrau Donjetën?
“Ne kemi besuar që Naseri e ka vra, kemi qenë të bindur, sepse ka pas prova që ai e ka marrë Donjetën në veturën e tij, janë pamjet e kamerave”.
“Edhe pse ai është munduar ta mohojë këtë fakt, duke thënë se ka qenë vajza e tij. Kur policia e kishte pyetur vajzën, ajo ka thënë që nuk ka qenë me babain e tij në veturë dhe e mbaj mend që në polici kishte deklaruar, duke i thënë babait ‘mos më përfshi në këto punët tua’”.
“Prandaj kemi besuar që ai e ka vrarë, edhe pse asnjëherë nuk ka bashkëpunuar me policinë që të tregojë se ku e ka lënë armën. Ne e dimë, ai ka pas një armë, kanë qenë disa video ai duke shtënë me armë në një dasmë. Por kur prokuroria ja ka kërkuar, ai ka deklaruar se nuk e ka armën. As policia nuk ja kishte gjetur kur ja bastisën shtëpinë, atëherë kur nisën hetimet”.
Kështu, tregon Shkëlqimi, nuk u vërtetua kurrë, se a ishte arma e Naser Pajazitajt ajo që e goditi me një plumb në kokë Donjetën.
Gjatë gjithë procesi gjyqësor, Naser Pajazitaj ishte mbrojtur në heshtje. Në të rralla seanca ai kishte deklaruar se “unë nuk e kam vra”, por kjo nuk e bindi askë, as prokurorinë, as gjykatat madje as familjen e Donjetës.
“Nëse Naseri nuk e ka vra, atëherë ai e di sigurt se kush e bëri”, shprehet Shkëlqimi, “nëse është kaq i pafajshëm, pse nuk ka treguar se ku e ka çuar Donjetën kur e pati në veturë atë ditë që u zhduk”.
“Të tregojë që e mora këtu dhe e lash atje, për tu shfajësuar nga vrasja, por ai asnjëherë nuk tha asgjë, nuk foli kurrë. Heshti, por tani më shumë se kurrë ne po dyshojmë që ai e di se kush e ka vra”.
“Ne jemi të bindur që bashkë me të ka qenë edhe dikush tjetër, bashkë me Naserin, por ai duhet të tregoj se kush ishte?”.
Për më tepër, Shkëlqimi kujton një detaj, nga fillimi i seancave gjyqësore.
“Djali i kryeplaku të fshtit, Haki Pajazitajt, i ka thanë Naser Pajazitajt që nga aty ku ka qenë t’u pritë Donjeta autobusin për të shkuar në punë, te druri, ti je ai që je çu fill pas saj. Si e ke pa që është aty, mas 2-3 minutave, ti e ke marr xhipin edhe ke shku pas saj. Ti je ai që duhesh me ditë çka ka ndodhë me të”.
Por, kujton Shkëlqimi, Naseri nuk është përgjigjur dhe nuk ka thënë asgjë.
Haki Pajazitaj, Kryeplaku i fshait Strellc, aty ku u lind e u rrit Donjeta Pajazitaj, ishte përfshirë në këtë rast të vrasjes, përmes inskenimit të disa letrave për të cilat kishte deklaruar se “dikush ia kishte lënë në veturë dhe ishin pa adresë”, por që më vonë hetimet e policisë dhe prokurorisë në Pejë kishin konstatuar se ato i kishte shkruar vetë Hakiu, për çka më pas ishte akuzuar e dënuar për deklaratë të rrejshme.
Në ato letra të cilat përmes kamerave në Postë Hakiu ishte parë duke i blerë vetë pullat postare, shkruante se dorasi i Donjeta Pajazitajt ishte një vrasës me pagesë, të cilin e kishte urdhëruar djali i vëllait të Naser Pajazitajt, pasi që ai kishe pasur një aferë me Donjetën dhe ajo kishte mbetur shtatzënë.
Në mënyrë që bashkëshortja e djalit të vëllait të Naser Pajazitajt të mos kuptonte asgjë për këtë fëmijë në ardhje, jashtëmartesorë, ai e kishte urdhëruar vrasjen e Donjetës.
Letrat “anonime”, ishte konstatuar se i kishte shkruar vetë Hakiu, por përveç që u dënua për deklaratë të rrejshme, ai asnjëherë nuk u trajtua seriozisht nga prokuroria Themelore në Pejë për ato që mund të dinte.
Por, kjo nuk do të thotë se ai nuk do të jetë pjesë e hetimeve të reja që prokuroria në Pejë ka nisur t’i bëj sërish, për të gjetur se kush e vrau Donjeta Pajazitajn.